Lidhje

Sfidat e emigrantëve në Moskë


Emigrantët duke pritur në radhë në një qendër emigracioni në Sakharovo, rreth 60 kilometra pranë Moskës

Ekonomia e Rusisë është ngadalësuar prej disa vitesh dhe ka përjetuar pasojat e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Megjithatë, Moska vazhdon të mbetet një qytet i gjallë, që tërheq emigrantë nga e gjithë bota. Shumica e tyre janë nga ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore. Siç njofton nga Moska korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, për shumë nga këta emigrantë nuk është e lehtë të gjejnë mirëqenien.

Moska është një ndër kryeqytetet më vitalë të botës, megjithë ngadalësimin e ekonomisë dhe zhvlerësimin e rublës. Emigrantët vazhdojnë të vijnë këtu, të joshur nga mundësia për të siguruar të ardhura.

Shumica vijnë nga Azia Qendrore, kryesisht nga Uzbekistani. Punëtorët uzbekë punojnë përgjithësisht në sektorë shërbimi si pastrues, apo edhe në ndërtim. Ka edhe prej tyre që punojnë në fushën e arteve.

Adkhami mbërriti në Moskë dy vite më parë. Duke qenë artist, ai dëshironte të fillonte një karrierë artistike, por e pati të vështirë.

Ai bën më pak fitime këtu se në atdheun e tij, ndërsa punon shpesh në punë të ndryshme në ndërtim dhe ndan një dhomë të vogël me emigrantë të tjerë, gati një orë larg Moskës.

“Ëndërroja të vija në Moskë dhe të shisja këtu veprat e mia. Por, nuk e dija që gjysma e njerëzve në Moskë janë piktorë... Erdha kur sapo filloi kriza ekonomike. Nuk pata fat. Ime bijë vdiq në atdhe dhe në kundërshtim me traditën myslimane, ajo u varros pa qenë unë i pranishëm. Dërgova çfarë kursimesh munda”, thotë Adkhami.

Shakhnoza, gjithashtu nga Uzbekistani, është si shumica e emigrantëve në Moskë. Ajo erdhi të punojë dhe të kursejë.

“Nuk kam ndonjë ëndërr këtu në Moskë. Nuk është vendi im. Erdha thjesht të fitoj para”, thotë ajo.

Ajo braktisi punën me të ardhura të vogla si mësuese dhe mbërriti në Rusi në kërkim të një jete më të mirë. Por, është e zhgënjyer.

“Fillova të punoj në një hotel me katër yje. Fillimisht ishte mirë, por më vonë erdhi një menaxhere e re. Më trajtoi shumë keq. Sjellja e saj ishte çnjerëzore. Nuk e përshkruaj dot. Të kesh arsim të lartë dhe të dëgjosh fjalë të atilla... Është shumë e dhimbshme”, thotë ajo.

Emigrantët bëjnë punët që shumica e rusëve nuk i dëshirojnë. Vëzhguesit thonë se konkurrenca për punët me paga të vogla e ul edhe më tej shpërblimin dhe e keqëson situatën.

“Rezulton se fluksi i emigrantëve ul të ardhurat e banorëve vendas dhe opsionet e tyre për të zgjedhur vende pune. Natyrisht që kjo shkakton pakënaqësi ndër vendasit që punojnë në tregun e punës me të ardhura të ulëta”, thotë Mikhail Chernysh, i Institutit të Sociologjisë.

Emigrantët nga Afrika dhe Amerika Latine gjenden përgjithësisht në rrethana të tjera. Ata janë shpesh studentë që vijnë këtu me bursa. Duke i mbijetuar një burokracie të vështirë, disa prej tyre gjejnë mënyrën për të qëndruar.

“Për nigerianët arsimi është shumë i rëndësishëm, pasi ofron rrethana më të mira. Ne nigerianët shkojmë kudo në botë, qoftë edhe në Rusi”, thotë Joshua Orabiyi, student nigerian.

Qoftë për arsimim, apo në kërkim të një jete më të mirë, Rusia vazhdon të tërheqë njerëzit që janë të gatshëm të përballen me burokracinë ruse, për të cilën disa thonë se është po aq e ashpër sa edhe klima ruse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG