Lidhje

Sfidat ekonomike të Portugalisë nën drejtimin e socialdemokratëve


Sfidat ekonomike të Portugalisë nën drejtimin e socialdemokratëve
Sfidat ekonomike të Portugalisë nën drejtimin e socialdemokratëve

Mbështetësit e Partisë Socialdemokrate të qendrës së djathtë po festojnë nëpër rrugët e Lisbonës. Socialdemokratët larguan nga pushteti Partinë Socialiste dhe pritet që të formojnë një koalicion të ri qeverisës.

Qeverisë së re do t’i duhet të zbatojë një sërë masash të ashpra financiare, të lidhura me një ndihmë prej më shumë se 114 miliardë dollarëshe që iu dha këtij vendi nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Njeriu i cili do të udhëheqë Portugalinë në këtë epokë të re shtrëngimi ekonomik është udhëheqësi i Partisë Socialdemikrate, Pedro Passos Kueljo. Ai është ish biznesmen që nuk ka qenë asnjëherë në një post publik. Por ai thotë se dëshiron që të ndihmojë Portugalinë të fitojë sërish besimin e investitorëve.

“Shpresoj që hapat që do të ndërrmarim tani, të jenë hapat e parë për një shpresë të re për Portugalinë, për të patur një besueshmëri dhe jashtë Portugalisë, si dhe për të krijuar vetbesimin e tregut”

Kryeministri në largim, Zhose Socrates, e pranoi humnbjen dhe tha se ai do të japë dorëheqjen edhe si kryetar i partisë.

Socialistët portugezë, janë një rast tjetër i një partie në pushtet, që ndëshkohet nga votuesit, ndërsa Europën jugore është përfshirë nga papunësia e lartë si dhe me borxhet publike. Tre javë më parë, partia socialiste në pushtet në Spanjën fqinje humbi kontrollin e disa komunave që konsideroheshin prej kohësh si baza të forta, dhe parashikohet të humbasë dhe kontrollin e parlamentit spanjoll në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Portugalia është një nga tre ekonomitë e eurozonës që ka kërkuar ndihmën e BE. Greqia dhe Irlanda gjithashtu janë ndëshkuar nga të zgjedhurit e tyre.

Ian Begg, një ekonomist euopian në Chatham House në Londër, thotë se rezultati i zgjedhjeve në Portugali është vazhdim i të njejtës prirje me atë që ka ndodhur anembanë Evropës. Qeveritë në pushtet gjatë kohës së krizës, janë fajësuar për të.

“Qeveria e cila fajësohet për krizën rrëzohet, qeveria që zgjidhet në këtë situatë për t’u përballur me krizën, ka mundësi që të rizgjidhet pasi po përballet me problemin. Pra ne po shohim një paqëndrueshmëri thuajse në gjithë Europën”.

Por ende ka optimizëm në Portugali, të paktën mes mbështetësve të zotit Kueljo, se qeverisja e re mund të përmirësojë kushtet për qytetarët që luftojnë me rritjen e kostove të jetesës e mos rritjen e pagave. Një votuese thotë se është e lumtur për ndryshimin politik.

“Jam e lumtur. Jam krenare për Portugalinë dhe për këto votime. Është ajo që na duhet në këto momente. “

Por zoti Beg thotë se qeveria e re e Portugalisë e udhëhequr nga socialdemokratët ka sfida të mëdha përpara.

“Është sfidë e madhe. Ata duhet të përballen me defiçitin, sektorin publik, si dhe duhet të jenë të sigurtë se reformat strukturore dhe ato afatgjata janë në drejtimin e duhur. E gjitha kjo nuk është e lehtë kur ekonomia nuk është në rritje”.

Zoti Beggs thotë se zoti Kueljo do të bënte mirë që të përpiqej të zbatonte masat e ashpra sa më shpejt të ishte e mundur.

“Një qeveri që vjen në pushtet ka mandatin që të marrë shpejt vendimet e vështira. Ata thonë; “T’i shmangim të gjitha lajmet e këqija, që kur të vijë periudha e rizgjedhjes ato të jenë harruar. Me këtë akt e kemi bërë zgjedhjen e vështirë”.

Zoti Kueljo ka premtuar që të privatizojë disa sektorë shtetërorë të industrisë së Portugalisë dhe t’u rikthehet projekteve të infrastrukturës, si plani për të ndërtuar një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë.

XS
SM
MD
LG