Lidhje

SHBA, a do të ndikojë një parti e tretë në zgjedhjet e 2020-s?


Në zgjedhjet presidenciale të SHBA vitin e ardhshëm, shumica e votuesve do të kenë një ose më shumë alternativa përtej kandidatëve të partive demokrate dhe republikane. Dhe ka shenja se një kandidat tani për tani relativisht i panjohur i një partie të tretë mund të vendosë rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo ndodhi në vitin 2016 kur një copëzim i votave në disa shtete me rëndësi kritike në pjesën qendrore të vendit i mundësoi kandidatit Donald Trump të mposhtte rivalen Hillary Clinton, e cila ndonëse fitoi votën popullore, nuk mori dot numrat e duhur në Kolegjin Zgjedhor.

Ashtu si kandidatja Clinton, edhe zëvendëspresidenti i dikurshëm Al Gore, po ashtu një demokrat, pa sesi u dërrmuan ëndrrat e tij për Zyrën Ovale në vitin 2000 kur kandidati i Partisë së Gjelbër dhe aktivisti për konsumatorët Ralph Nader përmbysi balancën delikate në zgjedhjet jashtëzakonisht të ngushta të vitit 2000 në favor të republikanit George W. Bush.

Në krahasim me shumicën e demokracive të tjera, sistemi zgjedhor presidencial i Shteteve të Bashkuara është i pazakontë dhe jo vetëm për shkak të Kolegjit Zgjedhor, një sistem ku, në 48 nga 50 shtetet, kandidati që fiton shumicën e votave në një shtet siguron të gjitha votat elektorale në atë shtet.

"Në botë nuk ka shumë sisteme rigorozisht presidenciale. Shumica e vendeve kanë më tepër sisteme parlamentare, të cilët japin mundësinë për krijimin e koalicioneve mes partive," thotë Samara Klar, profesore në Universitetin e Arizonës.

"Ajo që ne shohim në Shtetet e Bashkuara, ku polarizimi partiak bëhet pjesë e identitetit shoqëror të njerëzve, është shumë e pazakontë," thotë profesorja Klar për Zërin e Amerikës.

Ky polarizim ka prirjen t’i kufizojë garat zgjedhore tek dy partitë e mëdha, kurse të tjerat ndikojnë fare pak.

Prandaj është diçka e rrallë që kandidatët e pavarur ose të partive të treta të luajnë rol të madh në zgjedhjet presidenciale moderne në SHBA.

Hera e fundit që një kandidat i partisë së tretë ia kaloi me vota njërës prej dy partive kryesore ishte në vitin 1912, kur ish-Presidenti republikan Theodore Roosevelt, duke garuar me partinë Progresiste, doli i dyti pas demokratit Woodrow Wilson.

Hulumtimet e fundit nga profesorja Klar, e cila studion votuesit e pavarur, tregojnë se të pavarurit e mbështetur nga demokratët aktualisht janë më të kënaqur me partinë e tyre sesa të pavarurit që përkrahin republikanët.

Sipas saj, kjo tregon se një kandidat i partisë së tretë vitin e ardhshëm do të kishte më shumë mundësi t’i merrte votues Presidentit republikan Trump, sesa sfiduesit të tij demokrat.

Deri tani nuk duket ende ndonjë kandidat i jashtëm me një profil të tillë të lartë, por pretendentë nuk do të mungojnë.

Kongresmeni i pavarur Justin Amash nga Miçigani, i cili braktisi Partinë Republikane, shihet si një kandidat i mundshëm për të sfiduar zotin Trump.

Edhe libertariani Gary Johnson, ish guvernator i shtetit Nju Meksiko, është kandidat i mundshëm. Ai konkurroi në vitin 2016 dhe kapi më shumë se tre përqind të votave në shkallë vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG