Lidhje

SHBA: A po funksionon strategjia për Afganistanin?


SHBA: A po funksionon strategjia për Afganistanin?
SHBA: A po funksionon strategjia për Afganistanin?

Në raportin e tij mbi strategjinë në Afganistan dhe Pakistan, që njoftoi kohët e fundit, Presidenti Barak Obama tha se strategjia që ai shpalli para një viti po funksionon. Megjithatë, presidenti pranoi se përparimi, siç u shpreh ai, është "delikat dhe i kthyeshëm". Dhe ndërsa zyrtarët thonë se operacionet po vazhdojnë sipas planit për sa i përket afateve të tërheqjes në vitin 2011 dhe 2014, ekspertët thonë se është herët të bëhen pohime nëse strategjia me të vërtet po funksionon.

Në rishikimin e strategjisë së presidentit nuk pati të papritura. Ai tha se një vit pas njoftimit të saj dhe më pak se 6 muaj pas dislokimit të trupave shtesë, strategjia po fillon të funksionojë.

"Jemi në rrugën drejt përmbushjes së objektivave. Po bëjmë përparim të konsiderueshëm drejt objektivave tona ushtarake", tha zoti Obama.

Por presidenti pranoi gjithashtu se përparimi ka qënë i vështirë dhe delikat, madje theksoi se nevojitet më shumë punë për zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e vendit. Zoti Obama tha se Pakistani duhet të bëjë më shumë për eliminimin e bazave të sigurta për rebelët në anën e tij të kufirit.

Ndërsa presidenti bënte këtë vlerësim, forcat amerikane ishin afër fundit të vitit më vdekjeprurës në Afganistan, ku gati 500 ushtarë u vranë dhe 5 mijë të tjerë u plagosën.

Presidenti kishte premtuar ta bënte rishikimin e strategjisë në këtë kohë, pjesërisht për të mbajtur një qëndrim ndryshe nga paraardhësi i tij, Presidenti George W. Bush, i cili u akuzua se nuk ndryshoi kurs në strategjinë e luftës në Irak shumë kohë pasi u bë e qartë për ekspertët se ajo nuk po funksiononte. Por tani disa prej këtyre ekspertëve thonë se rishikimi i strategjisë së presidentit Obama u bë tepër herët.

Michael O'Hanlon ndjek çështjet e mbrojtjes në Institutin Brookings.

"Ёshtë tepër herët të priten rezultate të ndjeshme. Pra ky është një rishikim i përkohshëm. Mund të ketë disa ndryshime modeste të politikës, por asgjë themelore rreth strategjisë nuk ka të ngjarë të ndryshojë".

Ekspertët thonë se përparimi është i vështirë të bëhet dhe gati po aq i vështirë të matet në Afganistanin me terren të ashpër, korrupsionin në masë, strukturën komplekse fisnore dhe ndikimin e madh të talebanëve. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates thotë se tani për tani çdo përparim i bërë duhet të matet vetëm në nivelet lokale, ndërkohë që detyra e njësive ushtarake është shtrirja e zonave të vogla e të reja të sigurisë dhe përmirësimi i aftësive të forcave afgane për të mos lejuar zbrapsje.

"E gjithë ideja e strategjisë ushtarake është të ndalet vrulli i talebanëve, madje ai të zbrapset, të dëmtohen aftësitë e tyre dhe t’u mohohet mundësia për të kontrolluar qendra të mëdha të popullsisë. Në të njëjtën kohë, duhet ndërtuar aftësia e forcave afgane të sigurisë kombëtare për të luftuar talebanët".

Asnjeri nuk mund të parashikojë nëse një gjë e tillë do të ndodhë dhe kur. Por Presidenti Obama është angazhuar të fillojë kthimin e trupave amerikane korrikun e ardhshëm, madje ai dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të NATO-s kanë caktuar fundin e vitit 2014 si afatin për t’i dhënë fund rolit ushtarak të trupave të tyre në Afganistan.

Ish këshilltari për politikën e jashtme i senatorit republikan, John McCain, Richard Fontaine, i cili është tani analist në qendrën për siguri të re amerikane, është skeptik rreth afatit të korrikut 2011 dhe e shikon me rezerve afatin e fundvitit 2014.

"Nuk mendoj se deri në korrik do të shikojmë një sukses të ndjeshëm që të na bëjë të mundur një tërheqje të madhe të trupave amerikane. Deri në vitin 2014, ne do të mësojmë nëse kemi bërë përparim të madh dhe mund ta lemë vendin në duart e afganëve, apo nëse përparimi është i pamundur dhe në një rast të tillë do të na duhet të marrin vendime të vështira për kursin në të ardhmen".

Në fakt, zyrtarët thonë se nëse nuk bëhet përparim, madje rezultatet e deritashme shënojnë zbrapsje, ata duan ta dine këtë shumë para vitit 2014. Ndërkohë, do të ketë një rishikim tjetër të strategjisë pas pak muajsh në përgatitje për tërheqjen fillestare të trupave në korrik dhe një tjetër rishikim më thelbësor nga fundi i vitit të ri.

Rishikimi i strategjisë nga Shtëpia e Bardhë për vitin 2010 e përshkruan gjendjen ashtu siç ishte parashikuar, përparim por ende probleme. Presidenti Obama, Kongresi dhe qeveritë aleate do të ndjekin me kujdes përparimin, ndërsa rivlerësojnë strategjitë e tyre dhe nivelin e trupave gjatë vitit 2011.

XS
SM
MD
LG