Lidhje

Anketat zgjedhore në SHBA


Udhëheqësit e partisë republikane janë gjithnjë e më të shqetësuar lidhur me anketat e fundit të opinionit në shtete kyçe, apo në nivel kombëtar, që tregojnë se kandidatja demokrate Hillary Clinton ka një epërsi të madhe ndaj kandidatit republikan Donald Trump. Anketat e reja vijnë pas kuvendit kombëtar të demokratëve javën e kaluar dhe pas një sërë çështjesh polemizuese që kanë në qendër kandidatin Trump e që kanë nxitur disa reagime negative si nga figura të njohura republikanësh edhe demokatësh.

Janë kohë të vështira për republikanin Donald Trump.

Ai këmbëngul se fushata e tij është në rrugën e duhur për të fituar në nëntor.

“Doja t’ju them se fushata po ecën shumë mirë. Nuk kemi qenë asnjëherë kaq të bashkuar.”

Në një anketë të re të CNN-it, Trump është pas demokrates Hillary Clinton me nëntë për qind, ndërsa në një anketë të rrjetit NBC me tetë për qind. Klinton po ashtu kryeson np disa shtete kyçe si Pensilvani dhe Miçigan.

Shifrat e anketave vijnë pas disa debateve që kanë përfshirë fushatën e zotit Trump, përfshi polemikat e tij me Khizr dhe Ghazala Khan, prindërit myslimano-amerikanë të një ushtari të vrarë në luftën në Irak në vitin 2004.

Reagimi konfrontues i Trumpit ndaj familjes Khan u kritikua nga figura të njohura të partisë republikane si kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan dhe senatori nga Arizona, John McCain.

“Ne jo vetëm duhet të respektojmë por t’i duam anëtarët e familjeve që kanë bërë të tilla sakrifica.”

Trump shkaktoi gjithashtu një reagim të ashpër kur refuzoi të mbështesë ligjvenësit Ryan dhe McCain për zgjedhjet e ardhshme për në kongres.

Debatet që kanë përfshirë Trumpin kanë bërë që disa udhëheqës republikanë të jenë të shqetësuar se qasja e tij e padisiplinuar ndaj fushatës po ndihmon Clintonin, thotë analisti në Universitetin e Virxhinias Kyle Kondik.

“Ai duhet të vazhdojë t’i bindë njerëzit se është i kualifikuar për postin e presidentit dhe se ka temperamentin e duhur për të qënë president. Nuk mendoj se debatet si ai me familjen Khan po e ndihmojnë në këtë drejtim.”

Zoti Trump i tha një gazetari në Florida se është i vendosur të ndryshojë fokusin e fushatës së tij.

“Po është e drejtë. Duhet më tepër fokus tek Hillary Clintoni. Ajo është katastrofë kështu që do të përqëdrohemi më shumë tek Hillary Clinton.”

Në një miting në Kolorado, Clinton vazhdoi të kritikonte Trumpin duke theksuar se temperamenti i tij duhet ta skualifikojë atë për t’u bërë president.

“Nuk kam dyshim se Donald Trump nuk është i kualifikuar për të qënë president dhe komandant i përgjithshëm.”

Grupi pro-Clinton, Priorities USA, ka një reklamë të re që tregon repulikanët që kritikojnë Trumpin.

Si Clinton dhe Trump janë të ndërgjegjshëm se anketat tregojnë se amerikanët duan ndryshim; por, ka gjithashtu shqetësim rreth temperamentit të kandidatëve, thotë analisti i gazetës Wall Street Journal, Gerald Seib.

“Ka një dëshirë të madhe për ndryshim dhe kjo e ndihmon Donald Trumpin. Ai është kandidati ndryshe dhe është kandidati për ndryshim; por ka një shqetësim paralel, që është frika e së panjohurës. Pra ku gjendet kjo balancë? Dëshira për ndryshim nga frika e së panjohurës, pasi Donald Trump është një e panjohur e madhe si udhëheqës politik.”

Trump vazhdon të mbetet në një fushatë agresive përfshi mitingjet e fundit në shtetet kyçe të Floridas dhe Virxhinias.

Udhëheqësit republikanë po shpresojnë që zoti Trump të shmangë sistuatat si ato të javëve të fundit dhe të përqëndrohet në mesazhin e tij për të sjell ndryshime politike.

XS
SM
MD
LG