Lidhje

SHBA: Arti i indianëve autoktonë prezantohet në Uashington


SHBA: Arti i indianëve autoktonë prezantohet në Uashington
SHBA: Arti i indianëve autoktonë prezantohet në Uashington

Në mes të shekullit të 18-të, u hapen shkolla misionarësh në rezervat e indianëve autoktonë në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i këtyre shkollave ishte konvertimi i të rinjve në të krishterë dhe integrimi i tyre në kulturën perëndimore. Gjuha amtare dhe kultura u dekurajuan. Me kalimin e dekadave, shumë indian autoktonë u rriten me pak njohuri për kulturën apo gjuhën e tyre. Jeff Swicord na sjell hollësi për një anëtar të fisit Tsimshian i cili ia ka kushtuar jetën e tij përpjekjeve për të mbajtur gjallë kulturën e tij të lindjes.

David Boxley është një artist nga fisi Tsimshian në Alaskë. Ai është balerin, kompozitor, dhe gdhendës druri. Por mbi të gjitha, ai është ambasador i kulturës dhe trashëgimisë Tsimshian-e.

“Tani ne e quajmë art, por kjo ishte një mënyrë që njerëzit përkufizonin identitetin e tyre. Kjo më takon mua, apo ky është fisi im, është historia e familjes sime, e gdhendur dhe e pikturuar në dru”.

Zoti Boxley u rrit nga gjyshërit e tij. Ai thotë se ndikimi i misionarëve krishterë ishte i fortë, gjatë fëmijërisë së tij. Pra, ai kishte mësuar pak për kulturën e tij.

Ndërkohë që punonte si mësues, pasi mbaroi kolegjin, ai filloi të studionte gdhendjet e drurit të fisit Tsimshian në materiale etnografike dhe koleksionet muzeale. Në vitin 1986, ai e la punën e mësuesit për t’u përkushtuar në gdhendjen e drurit dhe ringjalljen e artit dhe kulturës Tsimshian-e.

“Unë u linda në kohën e duhur. Populli ynë me të vërtetë ka nevojë për t’u rigjallëruar. Kultura jonë nuk ishte shumë e shquar, pas gjithë atij ndikimi të misionarëve, dhe nuk kishte njeri që ishte në pozitë të mirë për t’i udhëzuar ata”.

Pothuajse tridhjetë vjet më vonë, ai është duke përfunduar një statujë prej druri të quajtur totem 70, e cila do të vendoset në Muzeun Kombëtar të Indianëve Amerikanë në Washington, DC.

“Ne nuk përdorim disqe lëmuese. Ne përdorim thika dhe dalta druri për ta lëmuar sipërfaqen e drurit dhe për të pastruar linjat e figurave”.

Kjo statujë tregon një histori. Ajo është gdhendur nga një lis pishe shtatë metra i gjatë. Boxley filloi gdhendjen e drurit disa muaj më parë në shtëpinë e tij në afërsi të qytetit Seattle në shtetin Washington. Ajo ishte transportuar këtu me kamion.

“Titulli i saj është Shqiponja dhe Shefi i ri”.

Statuja tregon historinë e një shefi të ri indian i cili shpëtoi një shqiponjë që kishte rënë në një rrjet peshkimi. Vite më vonë, kur fshati i shefit të fisit ishte përfshirë nga uria, shqiponja ia ktheu atij mirësinë.

“Një salmon ra nga qielli, dhe ai ngriti sytë dhe pa shqiponjën duke fluturuar. Dhe për disa ditë me radhë, shqiponja solli salmon për të ushqyer fshatin”.

Boxley thotë se druri që ka gdhendur për nder të gjyshit të tij është më afër zemrës së tij. Kjo është është e dyta.

“Kjo do të shihet nga miliona njerëz gjatë njëqind viteve të ardhshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për mua dhe djalin tim, kjo është për gjithë njerëzit tanë që janë krenarë dhe për fisin tim”.

Në ditën kur u zbulua statuja, një trupë vallëtarësh e përbërë nga familja dhe miqtë e zotit Boxley vallëzuan para një audience të madhe.

David Boxley ka gdhendur statuja tjera prej druri që janë pjesë e përhershme e koleksionit të muzeut. Kjo e fundit përfaqëson kulturën e fisit Tsimshian dhe do të ketë vendin në historinë e indianëve autoktonë të amerikës.

XS
SM
MD
LG