Lidhje

SHBA dhe aleancat në Azi-Paqësor


Shtëpia e Bardhë do të presë vitin e ardhshëm udhëheqësit e vendeve të Azi-Paqësorit, ndërkohë që Amerika po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në rajon. Por, administrata Obama ndeshet me sfida në përpjekjet për të rritur angazhimin me vendet e Azi-Paqësorit, pa shkaktuar acarim të tensioneve me Kinën.

Presidenti Barak Obama thotë se Amerika duhet të jetë më e lidhur me Azi-Paqësorin.

“Azi-Paqësori ka rëndësi absolutisht kritike për nxitjen e sigurisë, begatisë dhe dinjitetit njerëzor në botë. Prandaj i kam kushtuar një pjesë kaq të madhe të politikës së jashtme angazhimit të Amerikës në rajon”.

Në përpjekje për të çimentuar rolin udhëheqës të Amerikës në rajon, zoti Obama ka pritur udhëheqësit rajonalë në Shtëpinë e Bardhë dhe ka zhvilluar një numër takimesh gjatë udhëtimeve të tij në Azi-Paqësor.

Por, synimi i Shteteve të Bashkuara për të krijuar një rajon paqësor dhe të begatë varet nga qëndrimi i Kongresit, i cili pritet të ratifikojë në 2016 marrëveshjen e Partneritetit në Azi Paqësor. Marrëveshja tregtare ndeshet me rezistencë të fortë.

Në pjesën më të madhe të Azisë, ekonomia nënkupton siguri,” thotë analisti Christopher Johnson.

Mosmarrëveshjet detare në Detin e Kinës së Jugut do të vazhdojnë të përbëjnë problem, thotë analisti Marc Noland.

“Pretendimet territoriale dhe veprime të tjera të Kinës kanë krijuar ankth ndër vendet më të vogla në rajon, të cilat e mirëpresin angazhimin amerikan. Por nga ana tjetër, ata nuk duan të përziehen në ballafaqime mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”.

Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë një balancë delikate, thotë zoti Johnson:

“Balanca duhet arritur mes përpjekjeve për të siguruar partnerët dhe aleatët në Azinë juglindore në veçanti, por edhe në gjithë Azinë, se Shtetet e Bashkuara janë të pranishme, janë të angazhuara ndaj aleancave ushtarake në përgjigje të aktivizmit kinez në rajon, por njëkohësisht pa i bërë këto përpjekje të duken si strategji kundërvënëse ndaj interesave kineze në rajon”.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të ndihmojnë vendet e Aizës juglindore të rrisin kapacitetet detare dhe i kanë bërë thirrje Kinës të ndalë përpjekjet për krijim territori, ndërtime dhe militarizim në Detin e Kinës së Jugut.

Siguria kibernetike do të vazhdojë të jetë burim fërkimesh mes dy fuqive botërore, thotë zoti Johnson.

Shtetet e Bashkura besojnë se Kina ka gisht në një numër rastesh spiunazhi kibernetik në rrjete qeveritare dhe biznese të ndryshme.

Pekini i hedh poshtë akuzat.

Mendoj se administrata do të jetë nën presion në rritje për t’u vënë sanksione aktorëve të spiunazhit kibernetik, që gëzojnë mbështetje nga Kina, gjë që do të pasohet me reagim të kinezëve,” thotë analisti Johnson.

Pas një turneu në Azinë juglindore në nëntor, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë thellim të marrëdhënieve me rajonin, ndërkohë që udhëheqës nga këto vende do të mblidhen në Shtëpinë e Bardhë në 2016-ën.

XS
SM
MD
LG