Lidhje

SHBA-Britani: Zonjat e para mbështesin aktivitetin fizik për fëmijët


Zonja e parë Michelle Obama gjatë tre vjetëve që kur ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë është angazhuar në fushatën kundër obezitetit tek fëmijët si dhe ka inkurajuar shtimin e aktivitetit fizik për ta. Këtë javë, ajo pati në krah në fushatën e saj edhe bashkëshorten e kryeministrit të Britanisë. Dy zonjat vizituan një organizim për fëmijët në prag të lojrave verore olimpike të këtij viti.

Meqënëse këtë vit lojrat olimpike janë në Londër, homologia britanike e zonjës Obama, Samantha Cameron, shërbeu si një lidhje, ndërsa Zonja e Parë e Amerikës organizoi një konkurs të vogël olimpik me fëmijë të zonës së Uashingtonit në një universitet lokal.

Ky konkurs ishte gjithashtu një mënyrë për zonjën Obama që të kthente vëmendejn tek nisma e saj “Le të lëvizim” – një fushatë që promovon gjimnastikën dhe ushqimin e shëndetshëm.

“Të lëvizësh nuk është vetëm të merresh me sport. Lëvizje mund të jetë vallëzimi në dhomën e ndenjies, t’’i japësh biçikletës apo të shëtisësh me qenin”.

Zonja Obama njoftoi se ajo do të jetë në krye të delegacionit presidencial të Shteteve të Bashkuara në lojrat olimpike të Londrës.

Ndërsa dy zonjat e para i hidhnin një sy ambjentit, zonja Obama nuk mund t’i rezistonte një loje tenisi me fëmijët.

Në këtë organizim kishte sportistë olimpikë dhe paraolimpikë.

Lisa Leslie, fituese e 4 medaljeve të arta, ndihmonte në lojën e basketbollit:

“Mendoj se nëse i frymëzojmë fëmijët dhe u kushtojmë vëmendje, kjo mjafton. Kjo është ajo që kam mësuar prej tyre ndërsa ajo që ata mësojnë nga unë është të vazhdojnë përpjekjet dhe kurrë të mos heqin dorë”.

Dan O’Brien fitoi dhjetëgarëshin olimpik në vitin 1996. Por ai u tha fëmijëve se jo të gjithë sportistët fitojnë medalje të arta- e rëndësishme është të bësh të gjitha përpjekjet. Ai thotë se e di që fëmijt duan që të jenë fizikisht aktivë.

“Dëgjojmë shpesh herë se fëmijët e ditëve tona rrinë duke luajtur në kompiuter ose me lojra elektronike. Këta fëmijë këtu duan të lëvizin dhe të luajnë dhe si këta fëmijë ka shumë të tjerë kudo”.

Kortney Clemens humbi njërën këmb në Irak. Por dy vite më vonë, ai vendosi rekordin kombëtar në vrapimet e shpejta. Ai është veterani i parë i luftës në Irak që kualifikohet në skuadrën kombëtare paraolimpike.

“Nëse ne i mësojmë këta fëmijë që hanë ushqime të shëndetshme dhe të jenë fizikisht aktivë, kur të rriten, ata mund të mos kenë probleme shëndetsore”.

Kelvin Flowers, në klasë të pestë, thotë se nxorri një mësim të vlefshëm nga kjo përvojë.

“Mësova se mund të bëj çdo gjë nëse i kushtoj vëmendje”.

Edhe Lacley McCormick është në klasë të pestë.

“Mendoj se pjesa më tërheqëse ishte puna si një ekip i vetëm dhe aftësia për të qenë sa më aktiv”.

Në mbyllje të ditës, fëmijëve iu dha një medalje për përpjekjet e tyre. Nick Beatrice thotë se ka një mesazh për shokët e shoqet e klasës: Let's move!

XS
SM
MD
LG