Lidhje

SHBA, rriten çmimet e shtëpive


Sipas një raporti të ri, çmimet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara janë duke u rritur. Nga 20 qytetet kryesore amerikane në përfshira në indeksin e firmave Standart & Poor’s/Case Schiller, 12 prej tyre publikuan fitime me numra dy-shifrore në muajin prill, krahasuar me vitin e kaluar. Ekspertë të industrisë thonë se çmimet do të vazhdojnë të rriten, në sajë të numrit më të vogël të shtëpive në treg, por disa të tjerë thonë se kushtet më të rrepta në dhënien e kredive mund ta dëmtojnë rimëkëmbjen e tregut të shtëpive:

Që nga viti i kaluar, çmimi i shtëpive në Shtetet e Bashkuara është rritur më tepër se 12 për qind. Kjo është një shenjë e mirë për ekonominë më të madhe të botës dhe mund ta ndihmojë atë në kushtet e rritjes së taksave dhe shkurtimit të shpenzimeve qeveritare. Lawrence Yun është kryeekonomist i Shoqatës Kombëtare të Sekserëve.

“Kur rriten vlera e shtëpive, ky është një lajm i mirë për ekonominë, sepse shumë pronarë shtëpish ndjehen më të kamur dhe më të sigurtë për të shpenzuar.”

Çmimet e shtëpive janë duke u rritur, ngaqë ka më pak shtëpi në treg. Por megjithëse interesat janë më të ulëta se kurrë ndonjëherë, Yun thotë se ndërtimi i shtëpive të reja nuk ka shkuar me të njëjtin ritëm.

"Marrja e huave për ndërtimin e shtëpive të reja ka qenë e vështirë, prandaj ndërtuesit e shtëpive që janë në treg janë duke u bazuar tani tek tregu i aksioneve dhe letrat me vlerë; këta janë ndërtues të mëdhenj, të regjistruar publikisht në Wall Street dhe që janë të aftë të ndërtojnë. Por shumë nga ndërtuesit e vegjël kanë mbetur jashtë tregut dhe nuk janë të aftë të hyjnë.”

Një treg i qëndrueshëm i shtëpive është i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e ekonomisë globale, sepse problemet e rënda që përjetoi tregu amerikan luajtën një rol të rëndësishëm tek kriza financiare dhe kjo u pasua me recesionin global. Ken Simonso, i Shoqatës Kombëtare të Biznesit thotë se blerësit tani janë më të kujdeshëm.

“Mendoj se ka patur një ndryshim në qëndrimin e blerësve potencialë të shtëpive për herë të parë. Ata e panë se ajo që ndodhi një dekadë më parë me njerëzit që blenë shtëpi, të cilët patën besimin se mund të shisnin në çdo kohë, por që në fakt përfunduan ndryshe, u ngeli shtëpia në dorë, ose në disa raste edhe e humbën atë. Kjo i bëri njerëzit më të kujdesshëm në marrjen e vendimit për të blerë shtëpi.”

Ndërsa disa ekonomistë thonë se standartet me më tepër kufizime në dhënien e kredive dhe rritja e interesit mund ta frenojnë çmimin e shtëpive, ndërtuesit janë më optimistë. Indeksi i besimit i publikuar nga Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve të Shtëpive është më i larti në shtatë vjet. Shoqata thotë se kjo do të thotë më tepër projekte ndërtimi dhe vende pune.
XS
SM
MD
LG