Lidhje

SHBA, demokratët kërkojnë dëshminë e zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë


Tre komisione që drejtojnë hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve me qëllim ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, kanë kërkuar që shefi i stafit në detyrë i Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney të paraqitet të premten për një intervistë me dyer të mbyllura.

Komisionet i shkruan të martën zotit Mulvaney për t’i kërkuar të paraqitet, duke thënë se ata besojnë se ai ka "informacione të dorës së parë" për marrëdhëniet e Presidentit Donald Trump me Ukrainën.

Në një konferencë shtypi muajin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, zoti Mulvaney duket se pranoi që Presidenti Trump e vonoi ndihmën ushtarake për Ukrainën pjesërisht për arsye politike. Më vonë ai mohoi që e kishte thënë një gjë të tillë.

Mick Mulvaney është një nga 13 personat që demokratët kanë thirrur të dëshmojnë pas dyerve të mbyllura këtë javë. Është e paqartë nëse ai do të paraqitet pasi Presidenti Trump i ka udhëzuar anëtarët e administratës së tij që të mos bashkëpunojnë.

Komisionet hetuese të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të martën tekstet e zbardhura të dëshmive të dy diplomatëve kryesorë që janë marrë me marrëdhëniet me Ukrainën.

Ata janë ish-i dërguari special për Ukrainën, Kurt Volker dhe ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland.

Demokratët kanë kërkuar që disa dëshmitarë të takohen me hetuesit e Dhomës së Përfaqësuesve këtë javë. Mes emrave të përmendur janë sekretari i Energjisë Rick Perry dhe ish këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton. Është e paqartë nëse ndonjëri prej tyre do të paraqitet nëç Kongres për të dëshmuar.

Të hënën, katër zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që duhet të dëshmonin përpara hetuesve nuk u paraqitën, pas urdhrave të Presidentit Donald Trump për të mos bashkëpunuar me hetimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG