Lidhje

SHBA, demokratja Klobuchar tërhiqet nga gara, forcohet Biden


Biden, Klobuchar, Tom Steyer

Në SHBA, senatorja demokrate e shtetit Minesota, Amy Klobuchar, do t’i japë fund fushatës për të kërkuar emërimin e partisë si kandidate për t’u përballur me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit. Njoftimi u dha të hënën nga një zëdhënës i fushatës.

Tërheqja e kandidates së moderuar Klobuchar një ditë para zgjedhjeve të Super të Martës që zhvillohen në disa shtete, lë pesë kandidatë në garën e demokratëve. Zonja Klobuchar do të shprehet publikisht në mbështetje të kandidatit Joe Biden për emërimin e partisë.

Edhe ish-kandidati demokrat Pete Butigieg, i cili njoftoi të dielën se tërhiqen nga gara, tha gjithashtu se ka në plan të mbështesë kandidatin Joe Biden.

Joe Biden e gjen tani veten të rigjallëruar pas fitores që arriti të shtunën në Karolinën e Jugut, dhe shkon në votimet e Super të Martës me shanse të reja.

Ai ka marrë mbështetje nga një numër personalitetesh dhe organizatash të profilit të lartë dhe synon të bëjë një paraqitje të fortë përballë senatorit të vetëquajtur “socialist” të Vermontit Bernie Sanders, i cili deri tani udhëheq në anketat kombëtare.

Garat e Super të Martës shoqërohen me një trofe të ndjeshme për garat e demokratëve: 1,357 delegatë nga 1,991 që duhen gjithsej për të fituar emërimin e partisë në kuvendin kombëtar që mbahet në korrik.

Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, miliarderi Mike Bloomberg do të shënojë pjesëmarrjen e parë në garat e 3 marsit.

Ai ka shpenzuar qindra miliona dollarë në shtetet e Super të Martës për t’i dhënë shtytje fushatës së tij dhe për të rritur shanset në këtë gara që shihen si kritike për ecurinë e mëtejshme të garës presidenciale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG