Lidhje

‘Amerikanët e Jashtëligjshëm’ rrisin mbështetjen për futbollin


Ekipi kombëtar i futbollit të Shteteve të Bashkuara po përparon në përpjekjen e tij për t'u kualifikuar në Kupën Botërore të vitit të ardhshëm në Brazil, me disa fitore të fundit si ajo kundër Xhamajkës apo Panamasë. Numri i tifozëve që mbështesin skuadrën amerikane është në rritje dhe ata janë gjithnjë e më të organizuar dhe më të pranishëm në bare dhe stadiume anembanë vendit, pjesërisht falë përpjekjeve të një grupi jofitimprurës të quajtur Amerikanët e Jashtëligjshëm. Michael Lipin i Zërit të Amerikës iu bashkua grupit gjatë një ndeshjeje miqësore mes SHBA-së dhe Gjermanisë në fillim të këtij muaji në Uashington për të parë se si ata inkurajojnë dashurinë për futbollin në një vend të dominuar nga sporte të tjera.

Është nata para se ekipi amerikan i futbollit të luajë kundër Gjermanisë në Uashington. Dhe në këtë lokal po zhvillohet një mbrëmje festive para ndeshjes nga Amerikanët e Jashtëligjshëm – siç quhet ky grup i tifozëve amerikanë. Grupi shprehet se ka 7 mijë anëtarë që paguajnë kontribute, në më shumë se 80 degë në qytete të ndryshme të SHBA-së. Dega e Uashingtonit është më e madhja. Presidenti i degës Justin Coughlan thotë se degët e tjera mund të jenë të vogla, por kanë potencial të madh.

"SHBA-ja e sheh veten si një superfuqi e madhe, përveçse kur bëhet fjalë për futbollin, që është loja e gjithë botës. Por sa më shumë njerëz të kuptojnë që ka edhe persona të tjerë që e pëlqejnë këtë sport, aq më i suksesshëm do të bëhet ky sport këtu."

Entuziazmi rritet ndërsa qindra anëtarë të grupit Amerikanët e Jashtëligjshëm dhe miqtë e tyre mblidhen në një parking pranë stadiumit, pak para ndeshjes.

Shumë prej të “Jashtëligjshmëve” ndjehen si të lënë në hije, në një vend ku media i kushton më shumë vëmendje sporteve të tjera më të preferuara. Emri i grupit pasqyron pikërisht këtë realitet, thotë presidenti kombëtar i grupit Korey Donahoo.

"Futbolli nuk është një nga sportet kryesore këtu, kështu që menduam se emri ‘Amerikanët e Jashtëligjshëm’ ishte domethënës për atë që po përpiqemi të bëjmë."

Një tifoz entuziast për ndeshjen me Gjermaninë e ndërpret.

"Mos ji i sjellshëm – SHBA-ja do të fitojë dhe kjo lojë do të jetë një premtim! Mesa duket, kemi vetëm tetë tifozë gjermanë, pra ata nuk erdhën për të mbështetur skuadrën. Shtetet e Bashkuara do të fitojnë."

Tifozët amerikanë argëtohen duke mbështetur një ekip që zakonisht nuk është favorit në këtë sport. Vetëm pak minuta para fillimit të takimit, të Jashtëligjshmit marshuan në stadium, ku shumë prej tyre pozicionohen fare pranë fushës. Grupi i tifozëve “Amerikanët e Jashtëligjshëm” beson se shembuj mbështetjeje të fortë për ekipin kombëtar do të inkurajojë amerikanë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë në stadiume, lokale dhe shtëpitë e tyre në të gjithë vendin. Në pjesën e dytë SHBA-ja fitonte kundër Gjermanisë 4-1.

Paraqitja e mirë e kombëtares i dha shumë kurajo tifozëve amerikanë. Deri në fund të ndeshjes, Shtetet e Bashkuara arritën të siguronin një fitore me rezultatin 4-3. Portieri SHBA-së Tim Howard falenderoi tifozët e shumtë të pranishëm.

"Është impresionuese të shohësh një stadium të madh dhe historik si ky të mbushur plot. Dhe në një ndeshje me një ekip si Gjermania, për ne është shumë e rëndësishme. I jemi shumë mirënjohës tifozëve tanë për mbështetjen në rritje të tyre."

Një prej këtyre tifozëve ishte veshur si superheroi Captain America. I pyetur nga Zëri i Amerikës se çfarë duhet bërë për të sjellë më shumë njerëz në stadium, ai thotë:

"Duhet të fitojmë! Duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe më shumë njerëz do të vijnë!"
XS
SM
MD
LG