Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë fillon shqyrtimin e ligjit të kujdesit shëndetësor


Gjykata e Lartë përfundoi ditën e parë të dëgjimit të argumentave mbi kushtetueshmërinë e sistemit shëndetësor të propozuar nga presidenti Barack Obama, një çështje që mund të ndikojë jetën e gati çdo amerikani.

Gjatë séances së sotme prej gati 90 minutash, me pyetjet e tyre intensive anëtarët e Gjykatës së Lartë lanë të kuptohet se argumenti kryesor i cili mund ta përmbyste krejt çështjen nuk do ta pengojë procedurën. Çështja qëndrore në këtë rast është një dispozitë në ligj i cili kërkon që të gjithë amerikanët të blejnë siguracion shëndetësor.

Mbështetësit e ligjit thonë se dispozita është e nevojshme për të shpërndarë koston e kujdesit shëndetësor mes të gjithë amerikanëve. Oponentët argumentojnë se ligji dhunon Kushtetutën dhe shkel liritë individuale.

Për 3 ditë me radhë, anëtarët e gjykatës më të lartë të vendit do të dëgjojnë argumenta mbi kushtetueshmërinë e ligjit të kujdesit shëndetsor, që u miratua nga Kongresi para dy vjetësh. Në vazhdim do t’ju njohim me ndikimet që mund të ketë vendimi i Gjykatës së Lartë nga këndvështrimi i tre familjeve amerikane.

Ashtu si para 4 vjetësh, Miles Fawcett është përherë pranë të bijës në se ajo ka nevojë për të.

Serena lindi me një defekt të rëndë në mëlçi. I jati i dhuroi një pjesë të mëlçisë të tij për t’i shpëtuar jetën të bijës. Të dy kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm.

Sipas ligjit të ri asnjë kompani sigurimesh nuk mund t’u mohojë të drejtën e mbulimit. Me ligjin e mëparshëm, mund t’u mohohej mbulimi në se dihej se vuanin nga diçka. Nëna e Serenas, Mira, shqetësohet se çfarë mund të ndodhë nëse Gjykata e Lartë e shpall këtë ligj jokushtetues.

“Për mua është e vështirë të mendoj për persona që kanë pasur një përvojë të tillë, pa qënë faji i tyre, dhe papritmas gjërat të ndryshojnë menjëherë dhe kaq ndjeshëm”.

Steve Fleishman, pronar i firmës “Bethesda Bagels” nuk u ofron kujdes shëndetsor punonjësve të tij, madje ai nuk do të shikonte ndonjë ndryshim nga ligji, nëse mban në punë më pak se 50 punonjës. Por nëse ai e kalon këtë numër, zoti Fleishman është i detyruar t’u ofrojë kujdes shëndetsor punonjësve, përndryshe duhet të paguajë një gjobë.

Ai thotë se në ekonominë e sotme nuk i mbetet shumë fitim, prandaj atij do t’i duhet të ngrejë çmimet dhe të shkurtojë numrin e punonjësve.

“Duhet të qëndroj në kategorinë e një biznesi me 40 deri në 49 punonjës, pra diku duhet të bëj shkurtime dhe të punoj pak më shumë në mënyrë që të mos detyrohem të paguaj kujdes shëndetsor për punonjësit."

Dianna Buckett vazhdon studimet në fushën e kujdesit shëndetsor në Universitetin Johns Hopkins. Ligji i ri e lejon atë të mbulohet nga sigurimet shëndetsore të prindërve të saj deri në moshën 26 vjeçare, edhe pasi të ketë përfunduar studimet.

“Nuk është e lehtë të gjesh punë pa pasur përvojë të mëparshme. Ka vende pune si praktikante, ku edhe nëse të paguajnë, nuk të japin përfitime punësimi”.

Avokati Tom Goldstein ka një numër stilolapsash dhe secilin prej tyre do ta përdorë për çdo rast që do të argumentojë para Gjykatës së Lartë. Debati bazë lidhur me këtë ligj është nëse Kongresi gëzon autoritetin që t’i detyrojë amerikanët të blejnë kujdes shëndetsor.

"Bëhet fjalë për arritjen më të rëndësishme të presidentit Obama dhe ka të bëjë me një çështje që lidhet me kujdesin shëndetsor dhe që është një nevojë absolutisht bazë për qindra miliona njerëz".

Duke pasur parasysh këtë fakt, gjykatësit kanë planifikuar të dëgjojnë 6 orë argumenta gjatë 3 ditëve të ardhshme. Kjo është koha më e gjatë që i jepet një çështjeje ligjore për t’u argumentuar para Gjykatës së Lartë që prej viteve 1960-të. Dhe kjo për një arsye të fortë: analistët thonë se vendimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë do të citohet në gjykatat amerikane gjatë 250 vjetëve të ardhshëm.


XS
SM
MD
LG