Lidhje

SHBA, gjykata shpall fajtor bosin e drogës, "El Chapo"


El Chapo
El Chapo

Bosi më famëkeq i drogës në botë, Joaquin "El Chapo" Guzman, i cili arriti të ngrihet nga varfëria në Meksikën rurale për t’u bërë kreu i një perandorie globale të drogës, u gjet fajtor të martën nga një gjykatë amerikane në Bruklin të Nju Jorkut.

Pas një gjyqi që zgjati 11 javë, juria e shpalli “El Chapon” fajtor si drejtues i një karteli kriminal.

“El Chapo” Guzman, 61 vjeç, do të presë tani dënimin, që mund të jetë burgim i përjetshëm.

Guzman, një nga figurat kryesore në luftërat meksikane të drogës që e zhytën vendin në kaos duke filluar nga viti 2006, u ekstradua në SHBA në vitin 2017, pas arrestimit në Meksikë.

Megjithëse edhe figura të tjera të kartelit Sinaloa ishin ekstraduar më parë në SHBA, Guzman ishte i pari që vendosi të dalë në gjyq në vend që të pranonte fajësinë.

Në gjyq u paraqitën dëshmi nga më shumë se 50 njerëz, të cilët i ofruan publikut një vështrim të rrallë mbi funksionimin e brendshëm të kartelit Sinaloa, i cili e merr emrin nga shteti veriperëndimor i Meksikës, ku Guzman lindi në një fshat të varfër malor.

El Chapoja kthye gati në legjendë për shkak të dy arratisjeve të tij dramatike nga burgjet meksikane si dhe për shkak të imazhit si një "Robin Hood" që ai krijoi mes banorëve të varfër të Sinaloas.

Prokurorët amerikanë thanë se Guzman arriti të trafikojë në Shtetet e Bashkuara tonelata kokainë, heroinë, marihuanë dhe metamfetaminë për më shumë se dy dekada, duke konsoliduar fuqinë e tij në Meksikë përmes vrasjeve dhe luftrave me kartelet rivale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG