Një senator i njohur amerikan thotë se Kongresi do ta miratojë projekt-ligjin për reformën e imigracionit kur të fillojë punën.
Duke folur dje për një program televiziv, demokrati nga Nju Jorku Charles Schumer tha se beson se projekt-ligji do të miratohet deri më 4 korrik, dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Zoti Schumer është një nga tetë senatorët që kanë hartuar projektligjin për reformimin e sistemit amerikan të imigracionit. Ai krijon një rrugë për marrjen e shtetësisë për miliona punonjës të huaj pa dokumenta.
Por ligjvënësja nga Florida Ileana Ros-Lehtinen tha se Dhoma e Përfaqësuesve nuk do ta shqyrtojë projektligjin e senatit, edhe në se miratohet dhe se Dhoma po punon për versionin e saj të ligjit për imigracionit.