Lidhje

SHBA, gjithnjë e më të larmishme etnikisht


Senati amerikan ka miratuar një projekt-ligj për reforma të mëdha në sistemin e imigracionit, që pritet të hasë në rezistencë të fortë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ekspertët thonë se nëse disa nga dispozitat e projekt-ligjit hyjnë në fuqi, popullata imigrante pritet të mbetet shumë e larmishme, me dyndjen më të madhe nga Amerika Latine, Azia dhe Afrika.

Në Festivalin e përvitshëm Folklorik të Institutit Smithsonian, larmia etnike amerikane duket qartë ngado që hedh sytë. Në një tendë dëgjohen daullet afrikane, dhe pak metra më tutje gatuhet ushqim hungarez. Festivali që shpalos kultura nga skaje të ndryshme të botës, synon të ruajë traditën, etnografikë dhe gjuhët e rralla në rrezik të zhduken.

Thomas Kurihara, vizitor nga Kalifornia, thotë se familja e tij është me origjinë nga Japonia. Ai tregon se është mbajtur në një kamp përqëndrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, të ngritur në Shtetet e Bashkuara për japonezo-amerikanët. Zoti Kurihara beson se ka ardhur koha që Kongresi të miratojë ligjin e imigracionit:

"Besoj se si vend i krijuar nga immigrantët, duhet t’u ofrojmë mënyra immigrantëve të ligjshëm e të paligjshëm që futen në Shtetet e Bashkuara, të kërkojnë shtetësinë dhe jo të detyrohen të presin një jetë të tërë”.

Një tjetër vizitore, e ardhur nga Virxhinia thotë se është e padrejtë që disa immigrantë të paligjshëm lejohen të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka të tjerë, për shembull nga Afrika, që do të deportoheshin po të vinin në këtë vend.

Demetrios Papademetriou është president i Institutit për Politika të Imigracionit. Ai thotë se nëse Kongresi miraton një ligj për reforma në imigracion të ngjashëm me projekt-ligjin e Senatit, ka gjasa që prirjet aktuale të vazhdojnë, madje edhe të shtohen.

"Ajo që do të shohim është thellimi i imigracionit nga Amerika Latine. Ka gjasa të shohim edhe zgjerim të imigracionit nga Azia. Do të ketë një dyndje më të madhe të filipinasve në grupin e imigrantëve aziatikë”.

Sipas të dhënave të Institutit për Politika në Imigracion, në vitin 1960 afro 75 për qind e popullatës me origjinë nga vende të tjera ishte nga Evropa. Në vitin 2011, vetëm 12 për qind e popullatës së huaj ishte nga Evropa dhe afro 53 për qind ishte nga Amerika Latine. Ligji i vitit 1965 për Imigracionin hoqi përqindjet që favorizonin Evropën dhe si rezultat imigracioni nga Afrika arriti në 4 për qind në 2011 krahasuar me 0.4 për qind në 1960.

Projekt-ligji i miratuar në Senat do t’u ofronte viza punonjësve me aftësi të larta pune, gjë që sipas zotit Papademetriou do të tërheqë njerëzit më të talentuar në botë, përfshirë shumë evropianë.

"Mendoj se një numër shumë më i madh evropianësh do ta shfrytëzojnë këtë mundësi krahasuar me të kaluarën”.

Zoti Papademetriou beson se miratimi i reformës në imigracion do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, por ai është optimist se do të realizohet.

Ekspertët thonë se pavarësisht nëse miratohet apo jo ky ligj, Shtetet e Bashkuara do të bëhen një vend gjithnjë e më i larmishëm etnik dhe racor dhe do të forcohet e përhapet edhe prirja e martesave të përziera mes racash e etnish.
XS
SM
MD
LG