Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron thanë se kundërshtojnë sanksione të reja mbi Iranin duke thënë se ato do të vinin në rrezik bisedimet e tanishme mbi programin bërthamor të Teheranit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama ia bëri të qartë kongresit se do t’I verë veton çdo legjislacioni që bën thirrje për sanksione të reja.
Zoti Cameron tha se ai e kishte konkontaktuar personalisht me disa senator amerikanë lidhur me këtë çështje.
Më parë sot në Paris, Sekretari i shtetit John Kerry u takua me homologun e tij Iranian Javad Zarif për bisedime mbi programin bërthamor të Teheranit..
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se bisedimet zgjatën për rreth një orë por nuk dhanë hollësi të tjera.
Sekretari amerikan i Shtetit u takua me zoti Zarif më parë këtë javë në Gjenevë për ato që zyrtarët amerikanë i quajtën bisedime thelbësore për programin bërthamor të Iranit.
Irani dhe gjashtë fuqi botërore – Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia – po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare deri në afatin e 1 korrikut. Bisedimet u shtynë pasi palët nuk e arritën dot marrëveshjen në nëntor të vitit të kaluar siç ishte afati fillestar.