Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Iran


Irani thotë se nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore, një premtim që vendet perëndimore nuk e besojnë

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry dhe ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, do të takohen sot për të filluar negociatat e nivelit të lartë rreth programit bërthamor të Iranit. Bisedimet në Kombet e Bashkuara po nxisin shpresa për progres pas një dekade diplomacie të dështuar.

Këtë javë në Twitter, ministri i ri i jashtëm i Iranit Javad Zarif, tha se mundësia për të zgjidhur çështjen bërthamore është historike.

Zarif ka kryer shkollën e lartë në Amerikë dhe e flet anglishten rrjedhshëm. Ai do të udhëheqë bisedimet e Iranit me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermanisë për programin bërthamor iranian. Ai ka ndjekur të njëjtën formë komunikimi si presidenti i ri i Iranit, Hassan Rouhani.


“Irani kërkon angazhim konstruktiv me vendet e tjera, bazuar në respekt të ndërsjellë dhe interes të përbashkët dhe brenda të njëjtës strukturë, nuk kërkon të rrisë tensionet me Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti amerikan Barak Obama thotë se rruga diplomatike duhet të testohet.


“Duke patur parasysh angazhimin e deklaruar të presidentit Rouhani për të arritur një marrëveshje, unë kam udhëzuar John Kerry-n për të ndjekur këtë përpjekje me qeverinë iraniane”.

Ekonomia e Iranit, pas sanksionesh të shumta, është në vështirësi serioze. Dhe kjo, thotë analisti Alex Vatanka , ka nxitur përpjekjet iraniane për përmirësimin e marrëdhënieve.


“Atë që dëgjova nga presidenti Obama, e kemi dëgjuar nga presidenti Rouhani dhe udhëheqësi suprem iranian që do të thotë: ‘shikoni, ne po vuajmë dhe ju jeni të lodhur nga të gjitha konfliktet në Lindjen e Mesme, ne të dy kemi një arsye, me çfarëdolloj nxitjeje që na solli në tryezë, ne duam një zgjidhje, le të shohim nëse mund të flasi’”.

Megjithëse shpresat për një shtrëngim duarsh midis udhëheqësve të lartë nuk u arritën, diplomacia mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se ka arritur një nivel të ri, të paktën tani për tani. Mark Fitzpatrick është një nga studiuesit kryesorë të Iranit në Londër.


“Tani për tani, lufta nuk konsiderohet. Dua të them, se është në prapaskenë. Dhe, nëse diplomacia nuk është në gjendje ta zgjidhë këtë problem deri në verën e ardhshme, mendoj se, fatkeqësisht, mundësitë për luftë do të jenë përsëri në tryezë.”

Pavarësisht diplomacisë, skeptikët thonë se veprimet do të flasin më shumë se fjalët. Analisti Matthew Levitt:


“Irani thuhet se ka rritur mbështetjen e tij për grupin terrorist palestinez Hamas. Ai po dyfishon mbështetjen ndaj regjimit të Asadit në Siri. Dhe Hezbollahu i mbështetur prej tij vazhdon përpjekjet dhe kryerjen e sulmeve ndaj turistëve izraelitë në mbarë botën. Pra, ka një shkëputje mes fjalëve dhe veprimeve tani dhe ne kemi nevojë për t’i parë ato të bashkohen”.

Irani thotë se nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore, një premtim që vendet perëndimore nuk e besojnë. Interesat janë të forta sipas analistit Iran Patrick Clawson.


“Ky është një moment i madh shprese, por gjithashtu, sinqerisht, një moment rreziku të konsiderueshëm, sepse nëse ne nuk arrijmë një marrëveshje me zotin Rouhani ne kurrë nuk do të arrijmë një marrëveshje me Iranin. Dhe kjo është ende e paqartë nëse termat që ai do të pranojë përputhen me kushtet që vëmë ne”.

Një zyrtar i lartë amerikan thotë se hapat e marra nga Irani në javët e ardhshme do të përcaktojnë nëse diplomacia do të jetë e suksesshme.

XS
SM
MD
LG