Sot u ngritën akuza ndaj një gruaje nga Filadelfia, për përpjekje për mbështetje materiale ndaj grupit militant Shteti Islamik. Ky është rasti i dytë këtë javë, që lidhet me terrorizmin në Siri dhe ku përfshihen gra amerikane.
Në aktakuzë thuhet se Keonna Thomas, 30 vjeçe, ((e njohur gjithashtu si Fatayat Al Khilafah dhe YoungLioness)) u përpoq të largohej nga vendi, për t’u bashkuar me grupin Shteti Islamik. Po sipas aktakuzës, Thomas ka shkruar në Twitter se “Nëse do ta njihnim siç duhet realitetin, të gjithë ne do të nxitonim t’u bashkoheshim vëllezërve tanë në vijën e parë të frontit”.
Në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë thuhet se Thomas akuzohet se ka aplikuar për të marrë pasaportë amerikane, ka kërkuar në internet për të gjetur rrugë indirekte për të shkuar në Turqi dhe ka blerë vizë elektronike për në Turqi, si dhe bileta avioni për të udhëtuar jashtë vendit.
Ajo akuzohet se është angazhuar në komunikime elektronike me një luftëtar të Shtetit Islamik në Siri, duke u përgjigjur se “do të ishte fantastike për një vajzë që t’i kërkohet të bëhet pjesë e një operacioni për t’u bërë theror.
Thomas po ashtu thuhet t’i ketë thënë një shoqeje, se e kishte çaktivizuar llogarinë e saj në Twitter deri në momentin kur të largohej për në Siri, duke thënë se nuk donte të tërhiqte vëmendjen e “jo besimtarëve”.
Nëse shpallet fajtore, Keonna Thomas përballet me dënimin 15 vjet burgim.