Lidhje

SHBA: Ka filluar dalja e gjinkallave në lindje të vendit


SHBA: Ka filluar dalja e gjinkallave në lindje të vendit
SHBA: Ka filluar dalja e gjinkallave në lindje të vendit

Gjinkallat periodike janë kthyer përsëri. Gjatë javëve të fundit, në një rrip të madh toke në lindje të Shteteve të Bashkuara, këto insekte të pazakontë kanë dalë nga adoleshenca e tyre e gjatë nëntokësore. Në pjesën e parë të kësaj kronike me dy pjesë, korrespondentja Veronik Lakapra i hedh një vështrim disa lagjeve në periferi të qytetit St. Louis në shtetin Mizuri, për të mësuar më shumë rreth këtyre insekteve famëkeqe që bëjnë shumë zhurmë.

Është një pasdite me zagushi në tregun e fermerëve në periferi të lagjes Kirkwood në St. Louis të shtetit Mizuri. Pushtimi i gjinkallave është në fuqi të plotë, dhe banorët lokalë kanë ndjenja të përziera në lidhje me këtë ngjarje. Dhjetë-vjeçarit Matt Covington i pëlqejnë gjinkallat.

Kovington: “Unë kam qejf t’i mbaj në duar ato dhe t’i vendos nëpër pemë”.

LaKapra: “Si ndjehen ato në duart e tua?”

Kovington: “Kur të ngjiten në trup ato të gudulisin, është një gjë argëtuese për mua”.

Pirci: “Ato duken si djajë të vegjël, dhe nuk i dua ato”.

Nëntëmbëdhjetë vjeçares Lauren Pierce nuk i pëlqejnë gjinkallat.

“Mendoj se ato po qelbin lagjen. Ato mbajnë një erë të keqe dhe bëjnë zhurmë të madhe me zërin e tyre të lartë... në një mënyrë kjo është e mërzitshme”.

Ato me të vërtetë krijojnë zhurmë të madhe. Këto janë gjinkallat meshkuj që këndojnë për t’i tërhequr gjinkallat femra. Entomologu Chris Hartley thotë se ato bëjnë këtë tingull duke dridhur një organ në anë të gjoksit të tyre të quajtur timbal.

“Timbali funksionon si një kapak i një shisheje me lëng frutash, kur e shtyp atë ajo krijon një tingull. Në rastin e gjinkallave ky tingull përsëritet me shpejtësi të madhe dhe ato përdorin krahët për të fuqizuar tingullin që del jashtë. Kjo është një nga pjesët që e rrit nivelin e zhurmës”.

Por këto gjinkalla periodike kanë kaluar 13 vite pa bërë zhurmë fare. Ato kanë jetuar nën tokë, duke u ushqyer me lëngun e rrënjëve të pemëve, si fëmijë të mitur ngjyrë kafe, ose si nimfa.

“Nimfat janë qënie të çuditshme pa krahë, me këmbë rudimentare që shërbejnë vetëm për zvarritje dhe asgjë tjetër, dhe këmbët e tyre të para janë më të mëdha”.

Kur janë gati të dalin mbi tokë, në mesnatë nimfat krijojnë tunele duke lënë mbrapa vrima me diametër 1 centimetër. Ato zakonisht vendosen pranë shkurreve ose pemëve dhe dalin nga lëkura e tyre ngjyrë kafe.

Kur gjinkallat e rritura dalin për herë të parë në errësirë, ato janë të buta, të bardha, dhe të pambrojtura. Duhen disa orë që skeleti i tyre i jashtëm të nxihet, që krahët e tyre të shpalosen, të thahen dhe të marrin ngjyrën e verdhë dhe portokalli.

Të rriturit me sy të kuq janë rreth 3 centimetra të gjatë dhe jetojnë rreth 3-4 javë.

“Një gjinkallë femër, gjatë tërë jetës së saj, vë rreth 600 vezë”.

Glenn Frei kujdeset për insektet e gjalla në kopshtin zoologjik të St. Louisit. Ai thotë se gjinkallat femra përdorin një organ që i ngjan shpatës i quajtur ovipositor për të prerë degët e vogla të pemëve për t’i futur vezët.

Gjashtë deri dhjetë javë më vonë nimfat e madhësisë së milingonave çelin. Pastaj ato futen nën tokë, gërmojnë tunele dhe fillojnë ciklin e tyre 13 vjeçar.

Glenn Frei thotë se numri i gjinkallave të rritura në këtë rajon ka arritur kulmin, dhe në dy javët e ardhshme mund të presim vdekjen e këtij grupi gjinkallash.

XS
SM
MD
LG