Lidhje

SHBA: Koreja e Veriut duhet të ulë tensionin


Administrata Obama thotë se i përket Koresë së Veriut për të ulur tensionet në Gadishullin Korean. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na informon nga Uashingtoni se ligjvënësit amerikanë po flasin për një konflikt real të armatosur me Korenë e Veriut si diçka që nuk është një mundësi e largët hipotetike.

Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Dan Pfeiffer, tha se Koreja e Veriut është ajo që ndezi krizën e tanishme dhe i përket asaj të ndryshojë qendrim dhe taktika.

“Koreja e Veriut po sillet në një mënyrë që e kemi parë për shumë e shumë vite, me veprime provokuese dhe retorikë agresive. Dhe çelsi këtu është që Koreja e Veriut duhet të sprapset, të përmbushë detyrimet ndërkombëtare, kështu ata të përqendrohen në qëllimin e tyre kryesor që është zhvillimi ekonomik i vendit”.

Pfeiffer ishte i ftuar dje në programin televiziv Fox News Sunday.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thonë se Feniani mund të jetë e përgatitur për një provë të re bërthamore në mënyrë që ta detyrojë komunitetin ndërkomëtar t’i bëjë koncensione diplomatike.

Senatori republikan, Lindsey Graham, tha në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC se Koreja e Jugut po humbet durimin me fqinjin e saj verior.

“Koreja e Jugut nuk do të durojë asnjeri. Unë shikoj një luftë të madhe nëse koreanoveriorët vazhdojnë me këtë lloj arrogance, dhe Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe i gjithë rajoni janë ngopur me këtë individ”.

Dhe nëse me të vërtetë ndosh një konflikt?

“Veriu humbet dhe Jugu fiton me ndihmën tonë”.

Senatori tjetër republikan, John McCain, është dakord, por thotë se pasojat do të jenë të rënda.

“Koreja e Jugut do të fitonte. Ne do të fitonim nëse do të shpërthente një konflikt në shkallë të gjerë. Por fakti është se Koreja e Veriut do t’i vinte zjarrin Seulit. Dhe kjo do të ishte dukshëm një katastrofë me dimensione të mëdha”.

Duke folut në programin Face the Nation, të kanalit televiziv NBC, Senatori McCain bëri thirrje për një presion më të madh nga ana e Kinës ndaj Koresë së Veriut.

“Kina ka çelësin e këtij problemi. Kina mund ta paralizojë ekonominë e Koresë së Veriut, nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë”.

Presidenti kinez, Xi Jinping, tha kohët e fundit se asnjë vend “nuk duhet të lejohet ta zhysë një rajon dhe madje gjithë botën në kaos për qëllime egoiste”. Pekini është financuesi dhe mbështetësi i vetëm diplomatik i Koresë së Veriut.
XS
SM
MD
LG