Lidhje

Qeveria amerikane një hap më pranë mbylljes


Qeveria amerikane është një hap më pranë ndërprerjes së shumë funksioneve të saj, pasi Dhoma e Përfaqësuesve këmbënguli që të shtyhet një vit programi i kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama, në shkëmbim të financimit të veprimtarisë qeveritare. Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes demokratëve dhe republikanëve, do të ishte hera e parë që prej 17 vjetësh, që një pjesë e mirë e qeverisë federale mbyllet. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ish senator republikan nga Nebraska, u tha gazetarëve gjatë udhëtimit të tij për në Seul, se vazhdimi i përplasjes së Kongres do t’i lërë Shtetet e Bashkuara të paqeverisëshme.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi pak pas mesnatës për të miratuar amendamentet për financimin e qeverisë deri më 15 dhjetor, ndërsa urdhëroi shtyrjen e zbatimit të Aktit për Kujdesin e Përballueshëm Mjekësor dhe heqjen e taksave për disa paisje mjekësore.

"Ne kemi disa ditë në dispozicion dhe jo disa orë për të shmangur mbylljen e qeverisë. Mbyllja e qeverisë nuk është taktikë, nuk është strategji, është dështim për të gjithë vendin. Le të mos jemi vendi, përfaqësuesit të të cilit nuk mund të punojnë sëbashku për të plotësuar funksionet më themelore të qeverisë”.

Të paktën një republikan sugjeroi se demokratët duhen fajësuar për mbylljen e qeverisë.

"Le ta shtyjmë për një vit. Ky është qëllimi i këtij votimi, a do ta pranonit kompromisin. Nëse qeveria do të mbyllej, kjo do të thotë se ju nuk e pranoni kompromisin që republikanët kanë propozuar”.

Dje, Presidenti Barack Obama tha se Dhoma e Përfaqësuesve po e vë në rrezik ekonominë.

"Brenda pak ditësh, republikanët duhet të vendosin nëse do t’i bashkohen Senatit dhe ta mbajnë qeverinë të hapur apo të krijojnë një krizë që do të dëmtonte njerëzit për qëllimin e tyre të vetëm që të avancojnë axhencën e tyre ideologjike. Mbylljet e mëparëshme të qeverisë kanë goditur ekonominë. Kjo mbyllje do të bëjë të njejtën gjë”.

As Dhoma e Përfaqësuesve dhe as Senati nuk kanë në plan të mblidhen sot. Senati ka në plan një sesion të hënën pasdite. Nëse të dy dhomat e Kongresit nuk arrijë së shpejti një marrëveshje për buxhetin, qindra punonjës federalë do të pushohen përkohësisht dhe shumë programe qeveritare do të pezullohen.
XS
SM
MD
LG