Lidhje

SHBA, Meksika mohojnë njoftimet për dërgim trupash


Shtetet e Bashkuara dhe Meksika i mohuan njoftimet se presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se ai ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane në Meksikë.

Associated Press dhe një gazetar meksikan në Uashington kanë raportuar se zoti Trump i ka thënë presidentit meksikan Enrique Pena Nieto gjatë një telefonate javën e kaluar se ai do të dërgonte forca amerikane për të luftuar elementët e krimit dhe drogës nëse Meksika nuk do të merrte më shumë masa për t’i kontrolluar ata.

Raportimi i Associated Press është bazuar në një transkript të pjesshëm të bisedës mes zotit Trump dhe zotit Nieto që i është dhënë me kusht anonimiteti nga një person i cili kishte qasje në transkriptin zyrtar. Associated Press vuri në dukje se nuk ishte e mundur të përcaktohej toni i komenteve të presidentit Trump.

Gazeta “The New York Times” tha se një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë gazetës të mërkurën mbrëma se komentet e presidentit Trump ishin gjest i mirë dhe përfaqësonin një ofertë për të ndihmuar Meksikën në luftën kundër bandave të drogës dhe në kontrollimin e kufirit.

Zëdhënësi i Zyrës së Presidentit të Meksikës, Eduardo Sanchez tha se njoftimet se Trump ka sugjeruar dërgimin e trupave amerikane në Meksikë janë “absolutisht të pavërteta”. Zëdhënësi Sanchez tha se Trump dhe Pena Nieto kanë pranuar dallimet e tyre mbi tema të ndryshme, por kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë dialogun për të arritur marrëveshje në mes të dy vendeve.

Një nga veprimet e para të presidentit Trump pas marrjes së mandatit, ishte nënshkrimi i një urdhëri ekzekutiv për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ai premtoi gjatë fushatës zgjedhore ndërtimin e murit për të cilin do të paguante Meksika.

Presidenti meksikan Pena Nieto e ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të paguante për murin, dhe ai anuloi një vizitë të planifikuar në Shtetet e Bashkuara pasi presidenti Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e murit. Biseda e tyre në telefon kishte për qëllim të riparonte marrëdhëniet mes tyre.

XS
SM
MD
LG