Lidhje

SHBA demonstron mbështetjen për Korenë e Jugut


Një avion bombardues i SHBA-së me rreze të gjatë veprimi fluturoi sot mbi Korenë e Jugut, si një kundërpërgjigje ndaj testimit bërthamor të Koresë së Veriut. Fluturimi i avionit, i cili ka aftësinë e mbartjes së armëve bërthamore, u krye në afërsi të kufirit ndërmjet dy Koreve.

Avioni bombardues B-52, i shoqëruar nga avionë luftarakë të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, fluturoi sot mbi bazën ajrore Osan, e cila ndodhet vetëm 72 kilometra pranë kufirit ndërmjet dy Koreve.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkushtimin ndaj mbrojtes së Republikës së Koresë dhe ruajtjes së stabilitetit në gadishullin korean, nëpërmjet forcave tona konvencionale dhe ombrellës bërthamore,” tha Gjeneral Lietnant Terrence O'Shaughnessy, i Komandës së përbashkët ushtarake SHBA - Korea e Jugut.

Avioni amerikan B-52 e kreu fluturimin vetëm pak orë pasi udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un doli në mbrojtje të testimit të supozuar të një bombe hidrogjeni. Komentet e tij u njoftuan nga televizioni shtetëror, ku ai citohet të jetë shprehur se:

“Është një e drejtë legjitime e një shteti sovran dhe një veprim që askush nuk mundet ta kritikojë”.

Dy ditë pas testit, Seuli rifilloi transmetimin e propagandës anti-veri nëpërmjet altoparlantëve në kufirin e çmilitarizuar, veprim i cili konsiderohet si një gjest luftarak nga Korea e Veriut.

Veprimet e fundit të Koresë së Veriut kanë zemëruar edhe aleaten e tyre tradicionale, Kinën, dhe kanë ngjallur një furtunë kritikash nga shumica e kryeqyteteve të botës.

XS
SM
MD
LG