Lidhje

SHBA: Nuk ka përparime të dukshme në luftën kundër duhanpirjes


Duhani është shkaku kryesor i vdekjeve të cilat mund të shmangen si në Shtetet e Bashkuara e kudo në botë sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në Shtetet e Bashkuara, qeveria për më shumë se 40 vjet po kryen një fushatë kundër duhanit. Por sipas një raporti të ri nga këshillatarja i Presidentit për shëndetësinë - nuk ka shenja përparimi në parandalimin e pirjes së duhanit tek adoelshentët dhe të rinjtë.

Raporti ishte voluminoz - me rreth 900 faqe. Ai është përqëndruar në mënyrën se si duhet të parandalohet duhani tek të rinjtë dhe adoleshentët.

Ndërsa niveli i përgjithshëm i përdorimit të duhanit ka rënie të ndjeshme që nga raporti i parë, botuar para më shumë se 40 vjetësh, raporti i fundit tregon se si të rriturit dhe fëmijët deri në moshën 10 vjeçare kanë një prirje drejt varësisë nga duhani.

Regina Benjamin, këshilltare e presidentit, thotë se shifrat janë tronditëse:

“Çdo ditë 1,200 amerikanë vdesin nga duhani. Dhe çdo njëri prey tyre zëvendësohet nga dy dyhanpirës të rinj”.

Qëllimi është t’i jepet fund përdorimit të cigares tek të rinjtë dhe adoleshentët. Studimet tregojnë se adoleshentët janë më të prekshëm se të rriturit ndaj varësisë së nikotinës, një drogë që gjendet në gjendje natyrore në bimën e duhanit. Gjithashtu përdorimi i duhanit ndikon tek funksionimi i mushkërive.

Më shumë se 90% e të rriturve duhanpirës e kanë ndezur cigaren e parë përpara se të mbushnin 18 vjeç. Shumë e kanë nisur cigaren kur kanë qenë në moshat 11 dhe 13 vjeçare. Dr. Regina shpjegon:

“Sot, më shumë se 600 mijë fëmijë në ciklin 8 vjeçar pijnë cigare dhe tre milion nxënës të shkollës së mesme janë gjithashtu duhanpirës”.

Studimet tregojnë gjithashtu se më shumë se një në tre të rinj të moshës 16 dhe 26 vjeçare pijnë duhan. Ndërkohë, më pak se një përqind e duhanpirësve e nisin cigaren mbas moshës 26 vjeçare.

Dr. Benjamin thekson planet për të nisur një fushatë mediatike si kjo që ka në fokus të rinjtë:

“Dua që brezi i ardhshëm të mos jetë duhanpirës. Ky është synimi ynë”.

Dr. Benjamin dëshiron të përfshijë prindërit dhe mësusesit dhe të rikthejë vëmendjen edhe tek programet e komuniteteve kundër duhanit , mes tyre edhe programet për shkollat.

Raporti kritikon kompanitë e duhanit për fushatat reklamuese që kanë si qëllim të rinjtë dhe për prodhimin e produkteve të tilla si karamelet me cigare.

Ky raport citon efektivitetin e vendosjes së taksës së lartë të shitjes mbi produktet e duhanit, çka i bën ato më të shtrenjat për t’u blerë nga adoleshentët.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shëndetësisë tha se të ndihmosh të rinjtë që të shmangin varësinë nga duhani do të pakësojë numrin e njerëzve që janë të sëmurur prej përdorimit të tij, do të pakësojë vdekjet e parakohëshme dhe do të shpëtojë më shumë familje nga haraçi shkatërrues emocionale që ato duhet të paguajnë.

XS
SM
MD
LG