Lidhje

Politika amerikane ndaj Egjiptit


President Barack Obama ka përballë zgjedhje të vështira për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj Egjiptit pasi ushtria egjiptiane përmbysi Presidentin Mohamed Morsi të mërkurën. Shtëpia e Bardhë po vlerëson se si të inkurajojë më mirë demokracinë dhe stabilitetin në Egjipt.

Dy ditë pas përmbysjes së tij, përkrahësit e ish presidentit u përleshën me demonstruesit që nuk e duan atë, gjë që pasqyron ndarjen e vendit dhe barrën që u mbetet politikbërësve amerikanë.

Një oficer njoftoi largimin e Presidentit Mohamed Morsi pas një viti në pushtet. Turma të mëdha demostruesish egjiptianë kishin kërkuar shkarkimin e zotit Morsi.

President Obama ka folur publikisht vetëm një herë pas përmbysjes dhe nuk iu referua asaj si “grusht shteti” në Kajro, siç e kanë quajtuar shumë të tjerë. Gjatë dy ditëve, zoti Obama e ka diskutuar gjendjen me këshilltarët e sigurimit kombëtar.

Presidenti lëshoi një deklaratë me shkrim të mërkurën, ku shpreu “shqetësim të thellë” rreth veprimit të ushtrisë. Ai i bëri thirrje ushtarisë t’i kthejë me shpejtësi dhe përgjegjësi “autoritetin e plotë një qeverie civile të zgjedhur demokratikisht, sa më parë që të jetë e mundur”. Deklarata e zotit Obama është parë nga disa si kritikë për përmbysjen e Presidentit Morsi.

Megjithatë, zyrtarët e administratës, në takime dhe në biseda telefonike, duket se po sinjalizojnë Egjiptin dhe aleatë të tjerë të Shteteve të Bashkuara se Shtëpia e Bardhë e pranon aktin e ushtrisë.

Disa analistë në Uashington e kanë këshilluar administratën të mbajë anën e ushtrisë egjiptinae. Ata e quajnë atë “forcën më të sigurt në marrëdhëniet” me Egjiptin dhe “një aktor ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara ende mund të ndikojnë”.

Të tjerë, si Jon Alterman, drejtor i Studimeve për Lindjen e Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me të gjithë spektrin politik në Egjipt.

“Mendoj se ne duhet të kemi marrëdhënie me ushtrinë, por ne duhet gjithashtu të thellojmë marrëdhënist me komunitetin e biznesit, marrëdhënie më të thella me komunitetin akademik, marrëdhënie më të thella me provincat, e kështu me radhë, sepse politika egjiptiane do të luhatet për shumë vite me radhë”.

Në deklaratën e tij, Presidenti Obama e shmangu përdorimin e fjalës “grusht shteti”, kur iu referua ngjarjeve në Kajro.

Në rrezik është ndihma amerikane prej 1.5 miliardë dollarësh për Egjiptin, pjesa më e madhe për ushtrinë. Ligji amerikan parashikon prerjen e ndihmave për çdo vend ku një qeveri e zgjedhur përmbyset me grusht ushtarak shteti.

Jon Alterman thotë se ligji nuk parashikon gjendje të tilla si ajo në Egjipt dhe beson se ligjvënësit amerikanë do të manovrojnë.

“Përgjigja në raport me ligjin, sensi i duhur për interesat ameriane, për marrëdhëniet SHBA-Egjipt, për marrëdhëniet me ushtrinë Egjiptiane do të jetë i tillë që njerëzit të mos e gjykojnë, për të mos prishur lidhjet dypalëshe”.

Më vonë, kryetari republikan dhe demokrati më i lartë në Komisionin për Çështjet e Jashtëme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën lihet të kuptohet se kishte ardhur koha që zoti Morsi të largohej.

Ed Royce dhe Eliot Engel i bënë gjithashtu thirrje ushtrisë të tregohet tepër e kujdesshme dhe të mbështesë institucionet e qendrushme demokratike.
XS
SM
MD
LG