Lidhje

SHBA: bie shkalla e papunësisë në muajin maj


Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara ra në nivelin më të ulët në 16 vjet në muajin maj, duke arritur në 4,3 për qind dhe punëdhënësit shtuan 138 mijë vende pune. Megjithëse aktiviteti i punësimit ishte nën atë që pritej muajin e kaluar, ekonomistët thonë se nuk ka gjasa të ndryshojë trajektoren e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, ose planet e bankës qëndrore për të rritur normat e interesit.

Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë kaq e ulët që nga viti 2001... por analistët thonë se rënia u shkaktua nga faktorë negativë:

“Ajo ra sepse njerëzit braktisën fuqinë punëtore; Ngaqë nuk gjetën punë, tani nuk kërkojnë më punë,” thotë Stuart Hoffman, me PNC Financial Services.

Pavarësisht përmirësimeve më të dobëta se sa pritej në prill dhe maj – analistët thonë se kjo nuk ka gjasa që ky realitet të ndryshojë synimet e zyrtarëve të bankës qëndrore, të cilët pritet të rrisin normat e interesit për herën e dytë këtë vit kur të mbajnë takime më 13 qershor. Por, duke patur parasysh të dhënat ekonomike jo shumë pozitive, zoti Hoffman thotë se banka qëndrore ka të ngjarë të shtyjë për më vonë rritjen e tretë të interesave që kishte planifikuar:

“Si rezultat i rritjes më të dobët të punësimit dhe shifrave të dobëta të inflacionit, ekonomistët e bankës qëndrore mund të presin deri në dhjetor për të rritur normat e interesit” shton Stuart Hoffman.

Ndonëse rritja e pagave mbeti e ulët muajin e kaluar – profesorët thonë se të diplomuarit e këtij viti do të ndeshen me perspektivat më të mira të punësimit në më shumë se 10 vjet.

“Kemi një treg pune ku shumë punonjës po planifikojnë të dalin në pension dhe do të hapen mundësi të reja pune për t’i zëvendësuar ata – kështu që klasa që diplomohet këtë vit do të ketë më shumë mundësi” thotë Nicole Smith, profesore në Universitetin Georgetown.

Megjithatë, agjencitë e punësimit thonë se konkurrenca për vende të reja pune do të rritet pasi teknologjia po zëvendëson punët e së kaluarës. Rritja e vendeve të punës pritet të mbetet e qëndrueshme, por llojet e punës në dispozicion për punonjësit e rinj po ndryshojnë, thotë Hary Bottka i kompanisë Randstad Sourceright.

“Po ndryshojnë llojet e punës në dispozicion, kështu që do të jetë më e rëndësishme që punëtorët të marrin njohuri të reja për të patur aftësitë e duhura në treg, për të përmbushur kërkesat e vendeve të reja të punës” thotë ai.

Pavarësisht rritjes së kërkesës për punëtorë në sektorin e ndërtimit, të energjisë dhe hotelerisë, sektori i prodhimit industrial vazhdoi të humbasë vende pune. Rritja e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara ka qenë mesatarisht 121.000 gjatë tremujorit të fundit, krahasuar me 181.000 gjatë 12 muajve të fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG