Lidhje

Amerika feston 239 vjet pavarësi


Në mbarë Shtetet e Bashkuara, amerikanët po festojnë sot 239 vjetorin e pavarësisë nga Britania. Kjo ditë shënohet me parada, piknikë, fishekzjarre dhe koncerte.

Presidenti Barak Obama u uroi amerikanëve festën në fjalimin e tij të përjavshëm sot. Ai tha se familja e tij sot feston edhe 17-vjetorin e lindjes së vajzës së madhe të çiftit, Malia.

Familja Obama do të organizojë një darkë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë ku janë ftuar qindra ushtarë amerikanë dhe familjet e tyre.

Dita e Pavarësisë kujton 4 korrikun 1776, kur përfaqësues të 13 kolonive të Amerkës u mblodhën dhe nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë nga Anglia.

Festimet më madhështore për ditëlindjen e Amerikës zhvillohen në lulishten qendrore të Uashingtonit, pak metra larg ndërtesës ku ndodhen studiot e Zërit të Amerikës. Njerëzit kanë filluar të mblidhen për të parë fishekzjarret që fillojnë në muzg dhe për koncertin e përvitshëm festiv.

Policia ka forcuar masat e sigurisë pasi ka pasur paralajmërime për rritje të kërcënimeve terroriste. Zyrtarët e rendit kanë këshilluar amerikanët që mblidhen në mjedise publike për të festuar që të tregohen të vëmendshëm dhe të njoftojnë policinë nëse vërejnë aktivitete të dyshimta.

XS
SM
MD
LG