Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Twitteri Kuban, projekt zhvillimi


Shtëpia e Bardhë thotë se një rrjet komunikimi mediash sociale krijuar nga Shtetet e Bashkuara në Kubë ishte një program zhvillimi, jo operacion sekret. Agjencia Associated Press kishte njoftuar se rrjeti i mbështetur nga USAID-i kishte si qëllim të minonte qeverinë komuniste të Kubës duke ngritur një shërbim për të shkëmbyer mesazhe telefonike që mund të përdoret për të organizuar demonstrata politike.

Në rrugët e zhurmshme të Havanës, njerëzit vazhdojnë të flasin për rrjetin e medias sociale ZunZuneo, që në zhargonin kubanez do të thotë kolibër. Shërbimi i mesazheve i ngjashëm me Twitter, funksiononte prej dy vjetësh dhe kishte dhjetra-mijëra përdorues celularësh:

“Ishte një shërbim shumë i mirë. Mund të regjistroheshe, shkruaje 140 gërma dhe e dërgoje. Ishte falas”.

Por shoqja e tij, Saimi Reyes, një përdoruese tjetër thotë se shpesh kishte dyshime për shërbimin:

“Ndonjëherë vrisja mendjen se nga vjen ky shërbim, kush paguan? Sepse ishte pak si e pabesueshme që ta merrje falas”.


Associated Press njoftonte se ideja ishte të ndërtohej një rrjet i gjerë social përmes mesazheve, duke u dhënë mundësi kubanezëve të komunikonin me njëri-tjetrin dhe më pas të këmbenin mesazhe që të nxisnin disidencën. AP thoshte se kishte siguruar 1 mijë faqe dokumenta nga kontraktorët lidhur me zhvillimin e ZunZuneos. Në një nga dokumentat thuhej “përfshirja e Shteteve të Bashkuara nuk duhet pëmendur në asnjë mënyrë”.

Fulton Armstrong, punonte në atë kohë për Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

“Është e vërtetë që çdo agjenci e qeverisë amerikane, përfshirë programe josekrete do që të mbrojë disa detaje të lidhura me bashkëpunëtorët e tyre. Por në këtë rast bëhej fjalë për shumë më tepër. Ne na ishte thënë që nuk mund të informoheshim as në vija të përgjithshme sepse sipas tyre ‘njerëzit do të humbnin jetën’”.

Menaxheri i Projektit të ZunZuneos në USAID, Joe McSpedon nuk pranoi të prononcohej kur u pyet nëse projekti ishte një operacion i fshehtë:

“USAID është një agjenci zhvillimi, jo zbulimi. Hamendjet se ky ishte një program sekret janë të gabuara. Kongresi financon programe për demokracinë në Kubë për të ndihmuar kubanezët të kenë më shumë qasje në informacione dhe për të forcuar shoqërinë civile. Këto fonde janë publike, ndryshe nga operacionet sekrete”.

Zoti Carney thotë gjithashtu se programi ishte diskutuar në Kongres dhe ishte shqyrtuar nga Zyra për Qeverisje të Përgjegjshme:

“Kjo zyrë e analizoi këtë program hollësisht në vitin 2013 dhe arriti në përfundimin se ishte në përputhje me ligjin amerikan dhe nën mbikqyrjen e duhur. Në zbatimin e programeve në ambjente të vështira, sigurisht qeveria ka marrë hapa për të qenë e kujdesshme; kështu mbrohen ata që zbatojnë programin dhe publiku. Kjo nuk ndodh vetëm në Kubë”.

USAID-i thotë se projekti ZunZuneo mbështetej nga një grant trevjeçar që kapte shifrën 1.2 milionë dollarë dhe se objektivi ishte për të krijuar një platformë ku kubanezët të flasin lirisht me njëri-tjetrin.

Philip Brenner është një ekspert për Kubën në Universitetit Amerikan:

“Vende në gjithë botën kanë shprehur shqetësim për programin e përgjimit të NSA-së. Kjo ka potencialin që të komprometojë veprimet legjitime humanitare të USAID-it, sepse ekziston frika që po të lejosh USAID-in të veprojë në vend, mund të ndërmarrë aksione të fshehta”.

Granti që financonte programin mori fund në shtator 2012.

Ashtu si USAID-i, edhe Zëri i Amerikës financohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Disa programe të Zërit të Amerikës për çështje shëndetësore dhe biznese të vogla, si edhe një pjesë e trajnimit për gazetari, financohen nga USAID-i. Zëri i Amerikës ka kontroll editorial të këtyrë nismave dhe e mbështet pasqyrimin në media vetëm tek parimet e gazetarisë.
XS
SM
MD
LG