Lidhje

SHBA: Reagime ndaj incidenteve të fundit të dhunës


Në Dallas të Teksasit dje u mbajtën ceremoni lutjeje për 12 policët të cilët u qëlluan me armë gjatë një proteste paqësore të enjten në mbrëmje. Pesë prej tyre humbën jetën. Sulmi me snajper ndodhi gjatë një marshimi kundër vrasjeve nga policia të dy afrikano-amerikanëve në Luiziana dhe Minesota. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Block sjell reagimet ndaj incidenteve të fundit me armë.

Ceremonia e lutjeve në Dallas tërhoqi qindra njerëz në mbështetje të policëve të vrarë. Shefi i policisë në qytetin e Dallasit, David Brown tha se forcat e policisë po ndjejnë dhimbjen.

"Kjo ishte një tragjedi e menduar dhe planifikuar mirë nga i dyshuari. Ne nuk do të reshtim deri sa të sjellim para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vepër."

Rreth 100 policë ishin të pranishëm në marshimin e së enjtes kur ndodhi sulmi. Një person i armatosur, i cili u vra nga policia gjatë shkëmbimit me armë, u tha atyre se ai donte të "vriste njerëz të bardhë, sidomos policë të bardhë." Kryetari i bashkisë së Dallasit tha se vrasësi veproi i vetëm.

Presidenti Barack Obama ka dënuar sulmin. Gjatë një takimi të NATO-s të premten në Varshavë, ai u tha gazetarëve se nuk kishte justifikim për sulmin apo dhunën ndaj policisë.

Në Uashington, zyrtarja më e lartë e vendit për çështjet e zbatimit të ligjit, Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch, bëri thirrje për qetësi.

"Ne duhet t’i hedhim një vështrim të kujdesshëm lehtësisë që keqbërësit mund të kenë në qasjen ndaj armëve vdekjeprurëse dhe numrin e raste në të cilat i përdorin ato."

Dy kandidatët e pritshëm presidencial shprehën pikëpamjet e tyre mbi incidentet. Duke folur në një kishë afrikano-amerikane në Filadelfia, demokratja Hillary Clinton tha se ne nuk duhet të armiqësojmë policët.

"Mos harroni se çfarë po bënin policët kur ata u vranë. Ata ishin duke mbrojtur një marshim paqësor. Ata ishin duke u siguruar bashkëqytetarëve të tyre të drejtën për të protestuar kundër autoriteteve".

Përmes një video në Facebook, republikani Donald Trump tha se incidentet me armë kanë tronditur shpirtin e vendit.

"Një sulm brutal ndaj forcave tona të policisë është një sulm mbi vendin tonë dhe një sulm mbi familjet tona. Ne duhet të qëndrojmë në solidaritet me forcat e zbatimin të ligjit."

Nuk ka vend për dhunë, tha kongresmeni John Lewis, i Grupit afrikano-amerikanë në Kongres.

"Jo vetëm ata që angazhohen në protesta paqësore, por edhe policët duhet të mësojnë rrugën e paqes dhe rrugën e dashurisë."

Të enjten, protesta paqësore pati edhe në qytete të tjera, duke përfshirë Nju Jorkun. Kryebashkiaku i qytetit, Bill De Blasio tha para dhunës në Dallas, se policia dhe protestuesit në Nju Jork po bisedonin me njëri-tjetrin dhe po fotografoheshin së bashku.

"Ka ende tregues për një rrugë përpara, dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë për të punuar në përpjekjet për të bërë këtë vend më të sigurt dhe më të mirë," tha zoti De Blasio.

XS
SM
MD
LG