Lidhje

SHBA: Reforma financiare pritet të ketë ndikime të gjera


SHBA: Reforma financiare pritet të ketë ndikime të gjera
SHBA: Reforma financiare pritet të ketë ndikime të gjera

Senati amerikan miratoi një projektligj të rëndësishëm për reformimin e rregullave financiare të vendit. Kjo është një fitore për Presidentin Barak Obama, i cili e ka quajtur reformën financiare një ndër përparësitë e tij kryesore. Ligji i ri pritet të ketë ndikime si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në shkallë globale.

Kjo është një ndër reformat më të mëdha të sistemit financiar amerikan në dekada dhe përmbush premtimin e Presidentit Barak Obama për reformimin e Uoll Stritit.

"Si rrjedhojë e kësaj reforme, popullit amerikan nuk do t’i kërkohet më të paguajë faturën për gabimet e Uoll Stritit,” tha zoti Obama.

Senatori Kristofer Dodd është njëri ndër hartuesit e projektligjit.

"Më vjen keq që nuk mund t’u kthej punën ose shtëpinë atyre që e kanë humbur atë. Por ajo që mund të bëj është të kujdesem që ne si vend të mos u rikthehemi gabimeve të mëparshme,” tha Senatori Dodd.

Përkrahësit thonë se reforma nuk do të lejojë më gabimet që shkaktuan krizën financiare të viteve të fundit.

Legjislacioni i ri përmban masa për mbrojtjen e konsumatorëve, lejon qeverinë të shpërbëjë kompanitë që falimentojnë, ashpërson rregullat për bankat dhe parashikon mbikqyrje për transaksionet bankare të komplikuara të quajtura derivate.

Shumica e republikanëve të Senatit votuan kundër projektligjit. Ata thonë se shtimi i mbikqyrjes së qeverisë do të krijojë më tepër burokraci. Sipas tyre, ligji i ri do të dëmtojë bizneset e vogla dhe nuk ka të bëjë fare me krizën financiare. Ja si shprehet senatori republikan Saksbi Çamblis.

"Ky është një tjetër shembull i preferencës së mazhorancës për një strukturë standarde që mbyt rritjen ekonomike.”

Kundërshtarët thonë gjithashtu se projektligji nuk zgjidh shkaqet kryesore të krizës financiare që janë praktikat e huadhënies që ndjekin firmat gjigante për financimin e shtëpive.

Eksperti Joe Minarik i Komitetit për Zhvillimin Ekonomik thotë se do të duhet kohë që amerikanët kuptojnë ndikimet e vërteta të këtij projektligji dhe se reformimi i Uoll Stritit do të ndikojë mbi tregjet financiare kudo në botë.

"Bota do të dëshironte të shikonte që Amerika po i kthehet aktivitetit financial normal, me rregulla të qarta. Kjo do të ndikonte pozitivisht për aktivitetin financiar dhe për funksionimin normal të tregjeve financiare kudo në botë."

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs tha se Presidenti Obama ka në plan ta nënshkruajë projektligjin e ri sa më shpejt që të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG