Lidhje

SHBA: Rreth 5.5 milionë njerëz pa punë për gjashtë muaj apo më gjatë


Afro pesë milionë e gjysmë amerikanë kanë qenë pa punë për gjashtë muaj apo më gjatë. Gjetja e një pune të ngjashme me atë që kanë humbur shpesh është proces i gjatë dhe stresues. Por një program punësimi në Nju Hampshër u jep të papunëve një mundësi të përpiqen të gjejnë punë në sektorë ku s’kanë punuar më parë. Në vazhdim ju njohim me nismën Kthehu në Punë. Carol Nyber humbi vjet punën në sektorin e prodhimit elektronik. Ajo e ka përjetuar këtë gjendje edhe më parë. Gjatë 20 vjetëve të fundit ajo ka mbetur pa punë disa herë.

“Eshtë diçka shumë e tmerrshme. Shqetësohesh si do të paguash faturat, qeranë, ose kredinë e shtëpisë”.

Kur po kërkonte punë, zonja Nyber mësoi për nismën Kthehu në Punë që administrohet nga Departamenti për Sigurinë e Punësimit në shtetin Nju Hampshër. Keith Badger është koordinator i programit:

“Aplikantët mund të marrin deri në 24 orë trajnim në javë për deri në gjashtë javë me një punëdhënës të caktuar”.

Ai shpjegon se nisma krijon një situatë pozitive ku punonjësi vazhdon të përfitojë aftësi pune, ndërkohë që vazhdon të marrë asistencën e papunësisë dhe i jep mundësi punëdhënësit ta gjykojë individin për mundësinë e punësimit.

“Individi nuk ka ndonjë detyrim ndaj punëdhënësit. Punëdhënësi nuk ka ndonjë detyrim ndaj individit, përveç procesit të trejnimit. Punëdhënësi nuk i garanton punë individit, po ashtu nëse individit i mbushet mendja se trejnimi nuk ka vlerë për të, nuk është i detyruar ta vazhdojë”.

Carol Nyber nuk ka plan të largohet. Ajo shpreson se do t’i ofrojnë punë kur të përfundojë trajnimin me kompaninë Electropac.

“Kam punuar këtu afro 2 vjet më parë. Ishte një experiencë krejt tjetër. Herën e fundit isha inspektore. Tani operoj një makineri”.

Raymond Boissoneau ((BAH-sin-oh)) është president i kompanisë Electropac, një ndër mbi 400 bizneset në këtë shtet që marrin pjesë në nismën e punësimit. Mundësia që i ofrohet biznesit për të analizuar kandidatët për punësim gjatë një periudhe trejnimi, thotë ai, i ndihmon të gjejnë kandidatët më të mirë:

“Përveç aftësive të përgjithshme dhe specifike në lidhje me këtë punë, ne duam gjithashtu një individ që merr përsipër përgjegjësi për punën. Karakteri i punës sonë kërkon individë që luajnë një funksion, shohin diçka që nuk ecën dhe reagojnë. Pra duam dikë që tregon një kujdes dhe vëmendje më të madhe”.

Lisa Eaton humbi punën në industri më shumë se një vit më parë. Ajo ka gjetur punë në një agjenci imobiliare, pasi kaloi një periudhë trajnimi.

“Kurrë nuk m’u duk si një sfidë e papërballueshme. Është diçka pozitive të mësosh gjëra të reja në një sektor të ri”.

Zonja Eaton thotë se nisma Kthehu në Punë i ka dhënë mundësi të ndërrojë karrierë:

“Nuk isha e kënaqur me rolin që kisha në punën e mëparshme. E kisha në mendje të gjeja një punë tjetër. Por kurrë s’u bëra mbarë. Pra pakënaqësia bëhet pjesë e jetës. Kur mbeta pa punë, ishte një nxitje disi e mirë që të gjeja një punë që më përshtatej më shumë”.

Punëdhënësi i saj, Giovanni Verani, president dhe bashkëpronar i agjencisë Prudential Verani Realty, thotë se falë nismës, nuk shqetësohet se do të marrë në punë një individ pa experiencë:

“Së pari i duhej të merrte liçencën e shitjes së pasurive të paluajtshme. Ajo plotësoi të gjitha kushtet për ta marrë liçencën. Sapo erdhi këtu filloi të mësonte gjithçka për industrinë. Ajo i kapi gjërat shumë shpejt dhe mendoj se klientët e pëlqejnë”.

Nisma Kthehu në Punë mori frymëzim nga një program i ngjashëm në shtetin Georgia, i cili shërbeu si model edhe për programin e administratës Obama për të ndihmuar të papunët. Më shumë se 500 vetë kanë marrë kualifikim nga nisma e shtetit Nju Hempshër gjatë dy vjetëve të fundit. Mbi 350 prej tyre kanë gjetur tani punë të rregullt. Ndërkohë që nisma zgjerohet me biznese të reja, koordinatori i saj Keith Badger thotë se parashikon që të rritet edhe numri i të papunëve që gjejnë punësim.

XS
SM
MD
LG