Lidhje

SHBA, Sezoni i stuhive mund të jetë më vdekjeprurës se kurrë më parë


SHBA, Sezoni i stuhive mund të jetë më vdekjeprurës se kurrë më parë
SHBA, Sezoni i stuhive mund të jetë më vdekjeprurës se kurrë më parë

Zyrtarët në shtetin amerikan të Mizurit thanë se 232 njerzve nuk u dihet fati, 5 ditë pas stuhisë së fuqishme që përfshiu qytetin e Xhoplinit, duke lënë pas një re vdekjesh e shkatërrimesh. Numri i të vdekurve nga stuhia që rrafshoi të dielën qytetin Xhoplin ka arritur në 125.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik njoftoi se kjo shifër e bën këtë stuhi më vdekjeprurësen në historinë e Shteteve të Bashkuara që nga viti 1953. Përllogaritja e ndikimit financiar mund të marrë javë të tëra. Por siç njofton korrespondneti Mil Arcega, sezoni i sivjetëm i stuhive duket se do të hyjë në histori si më i shtrenjti dhe me më pasoja, që është regjistruar ndonjëherë.

Stuhia masive e së dielës përfshiu një territor prej 10 kilometrash të qytetin Xhoplin, duke shkatërruar mijëra shtëpi dhe biznese të këtij qyteti me 50 mijë banorë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit ende gjejnë të mbijetuar, por guvernatori i Mizurit, Jay Nixon tha se moti i keq po pengon operacionet e kërkimit.

"Kjo ka qenë një periudhë e rëndë dhe e vështirë, që do të vazhdojë për një farë kohe. Moti nuk na ka ndihmuar. Duket se shirat me vetëtima vazhdojnë dhe këto ditë mund të kemi stuhi edhe më të forta".

Ndërkohë që mbi 450 njerëz kanë vdekur nga një numër stuhish këtë vit, 2011-ta është tashmë viti i dytë për nga numri i të vdekurve në historinë amerikane. Industria e sigurimeve thotë se ky vit ka filluar si viti më i shtrenjtë.

Përllogaritja e humbjeve do të marrë javë të tëra, por Michael Barry në Institutin Informativ të Sigurimeve, thotë se matja e dëmit të stuhive tek jeta e njerzve do të jetë edhe më e vështirë.

"Banorët në Xhoplin të Mizurit ndoshta i shqetëson ideja nëse duan apo mund të vazhdojnë të jetojnë në atë komunitet".

Presidenti Barak Obama, i cili merr informacione të vazhdueshme gjatë udhëtimit të tij 6-ditor në Evropë, i cilësoi shkatërrimet “të dhimbshme”. Në Londër, presidenti premtoi se do të vizitojë të dielën zonën e shkatërruar nga stuhia për të siguruar banorët se qeveria federale do t’i mbështesë ata.

"Ne do ta ndihmojnë atë komunitet deri sa çdo shtëpi të riparohet, çdo lagje të rindërtohet dhe çdo biznes të rihapet. Ky është angazhimi im dhe i popullit amerikan".

Megjithë dëmet e mëdha në gati një të tretën e qytetit, zëdhënësi i Institutit Informativ të Sigurimeve, Michael Barry mendon se Xhoplin do të rindërtohet, ashtu si qytete të tjera të dëmtuara nga stuhi të tilla në të kaluarën.

"Greensburg i Kansasit para disa vjetësh thuajse u zhduk plotësisht nga një stuhi e tillë. Ai qytet nuk pati numrin e viktimave si në Xhoplin, megjithatë, 3-4 vjet pas stuhisë, Greensburg u rindërtua plotësisht. Prandaj ka shpresa që Xhoplin të rindërtohet".

Tragjedia që goditi Xhoplin-in është më e fundit në një seri stuhish vdekjeprurëse që kanë tronditur pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara. E gjithë kjo ka ndodhur, ndërkohë që zona të mëdha të luginës së lumit Mississippi janë ende të përmbytura dhe sezoni i uraganëve për këtë vit fillon pas pak ditësh.

XS
SM
MD
LG