Lidhje

Vetëvrasja dhe shëndeti mendor në SHBA


Ndarja nga jeta e dy figurave të njohura amerikane vazhdon të përcillet me reagime të forta nga njerëz të afërm të viktimave, ndërsa ka sjellë në qendër të vëmendjes problemin e vetëvrasjes. Personaliteti televiziv Anthony Bourdain vrau veten dje në Francë, vetëm tri ditë pasi ishte njoftuar vetëvrasja e stilistes Kate Spade. Këto dy raste hedhin dritë mbi një prirje shqetësuese të shtimit të ritmit të vetëvrasjeve në Shtetet e Bashkuara:

Kolegë gazetarë dhe personalitete të industrisë ushqimore po kujtojnë me keqardhje kolegun e tyre, Anthony Bourdain që prej vitesh ka prezantuar teleshikuesit me kuriozitete jo vetëm ushqimore, por edhe kulturore e sociale nga skaje të largëta të globit.

Ndërsa koleksionistët kanë rendur të blejnë çanta dhe artikuj të tjerë që mbajnë emrin e stilistes Kate Spade, pasi u njoftua se ajo kishte vrarë veten në apartamentin e saj në Nju Jork.

Të dy viktimat kishin shumë pika të përbashkëta: sukses profesional dhe financiar që u kishte sjellë famë dhe një jetë në dukje interesante dhe dinamike. Të dy vuanin prej vitesh nga probleme depresioni dhe ankthi dhe ishin përpjekur ta kontrollonin problemin me terapi dhe mjekime.

Vdekja e Bourdain dhe Spade ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi shkaqet psikologjike dhe sociale që çojnë në vetëvrasje. Problemi i vetëvrasjes është thelluar gjatë viteve të fundit. Qendra Kombëtare për Kontrollin e Sëmundjeve vëren në një studim të fundit se ritmet e vetëvrasjes kanë shënuar rritje në çdo shtet amerikan, përveç Nevadës gjatë 17 vjetëve të fundit. Në shumë raste, siç tregon studimi, viktimat e vetëvrasjes nuk kishin kërkuar ndihmë mjekësore dhe nuk dihej të vuanin nga probleme mendore ose psikologjike.

Vetëvrasja është parë shpesh si një reagim ndaj krizave ekonomike dhe problemeve financiare. Por vdekja e dy personaliteteve të suksesshme, si Bourdain dhe Spade ka vënë në pah mungesën e trajtimeve të efektshme mjekësore për persona që kanë mundësitë financiare për ta luftuar problemin dhe janë përpjekur të gjejnë zgjidhje në format ekzistuese.

Pas masakrave me armë në shkolla po ngrihet me të madhe nevoja për vëmendje ndaj kujdesit mendor për të rinj me probleme psikologjike. Ndërkohë qeveria federale po analizon ritmet e vetëvrasjeve për të identifikuar forma efektive për luftimin e problemit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG