Lidhje

SHBA, shtetas vietnamezë në rrezik deportimi


Administrata e Presidentit Donald Trump ka identifikuar mijëra vietnamezë, për të cilët thotë se mund të deportohen. Megjithëse deportimi mund të mos realizohet falë marrëveshjes së vitit 2008 mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit, ata që jetojnë nën hijen e deportimit ndeshen me një jetë pasigurie. Korrespondenti i Shërbimit Vietnamez të Zërit të Amerikës Vu Nguyen njofton.

Robert Huynh qan për të vëllain, i cili vdiq pak pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, qan për të ardhmen e tij dhe për nënën 80-vjeçare:

Ndjehem shumë keq që mund të mos jem pranë saj kur të ndahet nga jeta”.

Huynh, djali i një ushtari afrikano-amerikan, mbërriti në Shtetet e Bashkuara me nënën dhe tre vëllezër e motra në vitin 1984, pas Luftës në Vietnam. 49-vjeçari Huynh jeton në Hjuston dhe nuk e kishte menduar se mund të deportohej në Vietnam, ku fëmijët e ushtarëve amerikanë nuk janë të mirëpritur.

Por në vitin 2003, Huynh u shpall fajtor për shitje droge dhe u dënua me tre vjet burg. Pasi u lirua nga burgu, autoritetet amerikane të imigracionit, të njohura si ICE, e ndaluan për gjashtë muaj të tjerë.

Nuk e dija se po të kryeja krime mund të deportohesha, nëse nuk kisha shtetësi. Nuk më kishte thënë njeri. Nuk e mendoja që Shtetet e Bashkuara mund të deportonin fëmijën e një amerikani, si në rastin tim”, thotë ai.

Huynh mendonte se ishte i mbrojtur nën marrëveshjen e vitit 2008, e cila lejon deportime vetëm për vietnamezë që erdhën në SHBA pas vitit 1995.

Daniel Kritenbrink është ambasadori amerikan në Vietnam.

Për ata që erdhën para vitit 1995, kjo nënkupton se nuk janë aktualisht të mbrojtur nga marrëveshja”, thotë Ambasadori Kritenbrink.

Në mars, Shtetet e Bashkuara filluan të ndalojnë në masë refugjatë vietnamezë, veçanërisht ata që ishin dënuar për vepra penale.

Huynh u ndalua nga agjentët e ICE në shkurt të vitit të kaluar dhe u mbajt për më shumë se një vit.

Nuk e dija se ç’më priste pas lirimit. Nuk e dija a do të lejohesha të qëndroja apo do të deportohesha. Prisja në errësirë”, tregon ai.

Avokati i zotit Huynh siguroi lirimin e tij më 7 mars, por e paralajmëroi se mund të ndalohej përsëri në çdo kohë.

Administrata Trump thotë se Vietnami nuk lejon kthimin e vietnamezëve të deportuar. Për momentin, Huynh dhe vietnamezë të tjerë si ai jetojnë në pasiguri.

Nuk mund ta deportojnë djalin, ai është amerikan. Ja ku është fotografia e të atit, babai i tij është amerikan,” thotë nëna e tij.

Ekspertët thonë se ka plot të tjerë si Huynh. Agjencia ICE konsideron 8600 vietnamezë si shtetas të huaj, të padëshirueshëm, të cilët mund të deportohen në çdo moment.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG