Uashingtoni po e përqendron vemendjen përsëri tek siguria e aviacionit, ndërkohë që provat gjithmonë e më tepër flasin për mundësinë e rrëzimit nga një bombë të avionit rus me pasagjerë mbi Gadishullin Sinai të Egjiptit. Nga rrëzimi i avionit gjetën vdekjen të 224 personat në bord.
Megjithëse tragjedia mbetet ende mister, një e dhënë që doli nga regjistrimi zanor në kabinën e pilotit, mund të çojë në përfundimin se rrëzimi është shkaktuar nga një bombë.
“U dëgjua një zhurmë në sekondën e fundit të regjistrimit”, - tha hetuesi egjiptian.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, në mediat sociale përsëritet një mesazh:
“Me ndihmën e Zotit, luftëtarët e Kalifatit rrëzuan avionin rus mbi Sinai,”- thotë mesazhi.
Ligjvënësit amerikanë nxjerrin përfundimet e tyre. Ligjvënësi republikan Peter King:
“Jam thuajse gati të them se avioni është rrëzuar nga ISIS.”
Kreu i demokratëve në Komisionin e Zbulimit të Kongresit, kongresmeni Adam Schiff:
“ISIS e ka eklipsuar tani plotësisht Al Kaidën si kërcënimi më i madh terrorist.”
Zoti Adam Schiff thotë se Shteti Islamik duket se ka zbuluar një pikë të dobët në aviacionin ndërkombëtar.
“ISIS mund të ketë arritur në përfundimin se mënyra më e mirë për të sabotuar mbrojtjen në aeroporte, është t’i afrohesh atyre me ndihmën e dikujt nga brenda. Në rajon e më tej ka të paktën 12 aeroporte në këtë situatë.”
Ligjvënësi Schiff thotë se avionët europianë dhe amerikanë për fluturime ndërkombëtare mund të ndodhen para një rreziku të veçantë. Ditët e fundit, kontrollet e sigurisë në aeroportet kryesore amerikane janë shtuar së tepërmi. Ndërkohë, Rusia dhe Britania i kanë pezulluar fluturimet për në Egjipt, ndërsa vazhdojnë hetimet për shkakun e tragjedisë së avionit rus Metrojet.