Lidhje

SHBA, sot, Dita e Barazisë së Grave


Alice Paul
Alice Paul

Dita e Barazisë së Grave, që shënohet çdo 26 gusht, përkujton miratimin e amendamentit të 19 të kushtetutës amerikane në vitin 1920, që u dha grave të drejtën e votës.

Ky hap historik, megjithatë, nuk do të ishte i mundur pa lëvizjen e grave për votën. Ndër udhëheqëset e kësaj lëvizjeje ishte Alice Paul, më e madhja ndër katër fëmijët e familjes së saj të pasur dhe me bindje të majta.

Dukej qartë se ajo ishte përgatitur qysh e vogël nga prindërit për arritjen e kësaj ëndrre. Nëna e saj, Tacie Parry Paul, ishte aktiviste për të drejtën e votës së grave që e sillte të bijën në mbledhjet që bënte lëvizja për këtë qëllim.

Alice Paul ndoqi kolegjin Swarthmore në Pensilvani, e themeluar nga gjyshi i saj, dhe u diplomua për biologji në vitin 1905. Ajo mori gjithashtu një master në sociologji dhe më vonë shkoi në Angli për studime në sferën e punën sociale.

Gjatë gjithë studimeve, ajo mbeti një mbështetëse e përkushtuar e së drejtës së grave për të votuar.

Ndërsa ishte në Londër, ajo mësoi taktikat e protestave, si bllokimin e punës dhe grevat e urisë, të cilat ajo përdori pas kthimit në Shtetet e Bashkuara. Demonstrimi i saj i parë dhe më i madhi, ishte në Uashington, D.C., më 3 mars 1913, një ditë para inaugurimit të Presidentit Woodrow Wilson.

Rreth 8,000 gra marshuan në Bulevardin Pensilvania deri në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit u hidhnin rromuze dhe i vinin në lojë. Katër vjet më vonë, pasi nuk arritën ta bindnin Presidentin Wilson për nevojën e ndryshimit të kushtetutës, Alice Paul dhe më shumë se 1.000 të tjera filluan një grevë 18 mujore rreth Shtëpisë së Bardhë. Atë e ngacmonin, e sulmonin dhe madje e burgosën për shtatë muaj rresht.

Edhe pse në vitin 1918 Presidenti Wilson kishte njoftuar mbështetjen e tij për çështjen e votimit të grave, u deshën edhe dy vjet që Senati, Dhoma e Përfaqësuesve dhe 36 shtete të ratifikonin amendimin e Kushtetutës.

Alice Paul nuk u ndal në suksesin e arritur. Ajo vazhdoi punën dhe në vitin 1923 hartoi amendamentin për të Drejtat e Barabarta, i cili bënte thirrje për barazi absolute. Aty thuhej se "Burrat dhe gratë gëzojnë të drejta të barabarta në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në çdo hapësirë që i nënshtrohet juridiksionit të tyre."

Përkrahësit e saj e propozuan amendamentin në çdo seancë Kongresi midis viteve 1923 dhe 1972, por ai kurrë nuk u miratua. Më në fund, në vitin 1972 dy dhomat e Kongresit e miratuan ndryshimin. U caktua një afat shtatë vjeçar për ratifikimin nga tre të katërtat e 50 shteteve. Por deri në vitin 1982 kur ishte edhe afati, mungonin tre shtete nga 38 të nevojshme që kjo të bëhej amandament kushtetues.

Amendamenti nuk u ratifkua kurrë. Pavarësisht kësaj, gratë në Amerikë vazhdojnë të bëjnë presion për barazi përpara ligjit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG