Lidhje

Në Arizona, përkrahësit optimistë për Pres. Trump


Mardi Benedict është menaxhere në një klinikë mjekësore në Fort Mohave të shtetit Arizona, ku bashkëshorti i saj, Richard, është mjek obstetër dhe gjinekolog. Ajo është aktiviste koservatore dhe bën pjesë në lëvizjen Tea Party.

“Më dolën lotë emocioni gjatë inaugurimit, lotë gëzimi sepse më parë kemi nxjerrë lotë trishtimi,” gjatë administratës së Presidentit Obama – tregon zonja Benedict.

Një nga arsyet për këtë trishtim ishin ri-imbursimet e ulëta që i bëheshin klinikës gjinekologjike nën ligjin e Presidentit Obama për kujdes shëndetësor. Nganjëherë bashkëshorti i saj, Richard punonte falas. Ajo tregon çeqe të marra nga kompanitë e siguracioneve, ku shuma e ri-imbursimit është 0 dollarë.

Urdhri i parë ekzekutiv që nënshkroi Presidenti Trump në ditën e inaugurimit udhëzonte agjencitë qeveritare të reduktonin sa më shumë zbatimin e ligjit për kujdes shëndetësor.

Përkrahësit e zotit Trump në Arizona po përshëndesin këtë urdhër dhe vendime të tjera të presidentit të ri, nga masat për forcimin e kufirit deri tek ato kundër imigracionit të paligjshëm.

Në shenjestër “Politikanët që shtiren si republikanë”

Në një zyrë të vogël në qytetin Feniks të Arizonës, një tjetër përkrahëse e zotit Trump, mjekja Kelli Ward po zhvillon fushatë për t’u zgjedhur në Senat. Ajo ka qenë senatore në legjislaturën e shtetit Arizona dhe në 2016 konkurroi kundër senatorit aktual John McCain.

Ajo humbi në një garë të fortë, por tani po konkurron kundër senatorit tjetër të Arizonës, republikanit Jeff Flake. Sipas zonjës Ward, si McCain, ashtu edhe Flake janë republikanë vetëm në emër, nuk janë politikanë konservatorë ose përkrahës të vërtetë të Presidentit Trump në një numër çështjesh, si imigracioni i paligjshëm.

“I kam parë pasojat në kujdesin shëndetësor,” thotë ajo, dhe shpreh mbështetje për aktet e presidentit për të goditur imigracionin e paligjshëm.

Ajo shpreson se këto akte do të çojnë në shfuqizimin e ligjit për kujdes shëndetësor dhe do të ulin taksat. Zonja Ward ka ashërbyer mbi 30 vjet në ushtri dhe shpreson për një qëndrim më të kujdesshëm në veprimet ushtarake.

"Nuk duhet të merremi me vendosjen e rendit në vende të tjera. Nuk duhet të angazhohemi në konflikte të gjata e të kushtueshme”.

Ajo beson se Presidenti Trump do të ofrojë mbështetje më të madhe për veteranët se sa administratat demokrate.

Përkrahësit, optimistë për veprimet e Presidentit Trump

Frank Lister nga Feniks, përkrahës i zonjës Ward dhe i Presidentit Trump, u angazhua në aktivizëm politik si rrjedhojë e besimit të tij si katolik dhe kundërshtimit ndaj të drejtës për abort.

“Më ka irrituar fakti që zgjedhim njerëz të na përfaqësojnë në Uashington dhe ata nuk bëjnë asgjë. Ata duhet të luftojnë për parimet tona”. Ai mendon se Donald Trumpi po lufton.

Zoti Lister është kundër martesave të homoseksualëve. Njerëzit mund të bëjnë ç’të duan, thotë ai, por nuk është dakord me idenë e ri-përkufizimit të martesës.

Votuesit në Arizona janë të ndarë kur është fjala tek presidenca Trump. Një anketë e fundit tregoi se më shumë se gjysma e votuesve nga të gjitha partitë janë kundër idesë për të ngritur një mur përgjatë kufirit me Meksikën. Por republikanët e mbështesin presidentin në këtë temë.

Anketa nuk i pyeti votuesit mbi urdhrin ekzekutiv për të ndaluar shtetas dhe refugjatë nga shtatë vende me shumicë myslimane. Por republikanët që intervistoi Zëri i Amerikës e mbështesin urdhrin.

Por mjeku Michal Ward, bashkëshorti i zonjës Kelli Ward, thotë se konservatorët e kanë gabim nëse bien dakord me presidentin në çdo gjë që ai bën.

Shqetësime se Trump po mbipërdor autoritetin ekzekutiv

“Do të preferoja që urdhri për të ndalur futjen e udhëtarëve nga këto shtatë vende të ishte prezantuar pak më ndryshe”, thotë zoti Ward. “E mbështes idenë e tij, besoj se po vepron brenda kushtetutës. Por shqetësohem se mund të shkelë autoritetin ekzekutiv; aty duhet ta ndalim”.

Kelli Ward thotë se zoti Trump si biznesmen, po bën atë që kërkohet: “Ai di si ta marrë situatën në dorë, pas tetë vjet të administratës Obama, duhej që dikush të vinte dhe të bënte një riorganizim”.

Cifti Ward e ka përshëndetur premtimin e zotit Trump për të pastruar “kënetën politike” në Uashington. “Në atë qytet ka figura me para, që po përpiqen të arrijnë synimet e tyre personale. Ka politikanë që dëgjojnë një lobist dhe interesat e tij në kurriz të miliona votuesve që përfaqësojnë,” thotë Michael Ward.

Zoti Ward shpreson se ky realitet do të ndryshojë nën presidentin e ri.

XS
SM
MD
LG