Lidhje

SHBA, vazhdon trysnia për hapjen e ekonomisë, por disa nuk janë gati


Avionët fluturojnë mbi Uashington për nder të punonjësve të shëndetit

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo reagoi ndaj atyre që i quajti kërkesa të parakohshme që ai të rihapë ekonominë e këtij shteti.

Ai tha se e di mirë që njerëzit e kanë të vështirë pa punë, por se është e nevojshme që koronavirusi të kuptohet më mirë para se të ndërmerret një hap i tillë.

Ndërsa guvernatorët në rreth gjysmën e Shteteve të Bashkuara po rihapin pjesërisht ekonomitë e tyre gjatë kësaj fundjave, zoti Cuomo tha se ai ka nevojë për shumë më tepër informacion mbi ndikimin e pandemisë në shtetin e tij, përpara se të heqë kufizimet që synojnë të frenojnë përhapjen e saj.

Nju Jorku është shteti i goditur më rëndë nga koronavirusi, me 312 mijë të konfirmuar dhe 24 mijë të vdekur.

Guvernatori i New Jersey Phil Murphy i bëri jehonë qasjes graduale të zotit Cuomo edhe pse raportoi për “prirje pozitive”, duke përfshirë një rënie të numrit të pacientëve në spitale.

Në qendër të Uashingtonit, mijëra njerëz u mblodhën për të parë fluturimin e skuadriljeve Thunderbirds të Forcës Ajrore dhe Blue Angels të Marinës, për nder të punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe të tjerëve që luftojnë kundër pandemisë. Njerëzit duartrokitën kur avionët kaluan mbi Memorialin e Lincolnit dhe pastaj mbi Shtëpinë e Bardhë.

Shumica e njerëzve ruanin distancimin fizik dhe jo të gjithë mbanin maska në fytyrë.

PLANE PËR RIHAPJEN

Grupet konservatore që këshillojnë Shtëpinë e Bardhë kanë publikuar një numër planesh për rihapjen ekonomike të vendit me një temë të përbashkët: Amerikanët duhet të kthehen në punë menjëherë, për të ndalur dëmin ekonomik dhe shoqëror që po sjellin bllokimet e zgjatura.

Edhe përgjigjja e administratës Trump ndaj koronavirusit vërtitet rreth të njëjtit mesazh: nevojës për një rihapje të shpejtë. Shtëpia e Bardhë nuk i zgjati udhëzimet federale për distancimin fizik që skadonin më 30 prill dhe Presidenti Donald Trump pritet të shkojë në shtetin e Arizonës javën tjetër, pas një muaji pa udhëtime jashtë Uashingtonit.

Kentucky protests against stay at home order
Kentucky protests against stay at home order

Virusi i ka infektuar shtetet amerikane në mënyrë të pabarabartë, prandaj disa nga qeveritë shtetërore dhe lokale po hapin qendra tregtare, kinema dhe floktore ndërsa shtete të tjera vazhdojnë zbatimin e udhëzimeve të qëndrimit në shtëpi.

Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe grupet këshilluese megjithatë nuk kanë plane të hollësishme dhe të centralizuara për testimin dhe frenimin e virusit, që shumë zyrtarë shëndetësorë, historianë dhe ekonomistë thonë se janë të nevojshme për të shmangur një rritje të re të infeksioneve dhe një dëm ekonomik afatgjatë.

Një studim i Universitetit të Harvardit botuar javën e kaluar argumenton se 5 milion teste në ditë që mund të arrihen rreth fillimit të qershorit do të ishin të nevojshme për të garantuar një "rihapje të sigurt sociale".

Testimet do të duhet të arrijnë në 20 milion në ditë për të rimëkëmbur plotësisht ekonominë, thonë studiuesit.

Ndërsa Presidenti Trump ka thënë se kjo shifër do të arrihet "shumë shpejt, zyrtari i tij i lartë për testimet e koronavirusit, Ndihmës Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Brett Giroir, tha për revistën Time se nuk ekziston "absolutisht asnjë mënyrë në Tokë, në këtë planet apo në ndonjë planet tjetër, që ne të mund të bëjmë 20 milion testime në ditë, qoftë edhe 5 milion në ditë.”

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 1,1 milion të infektuar ndërsa totali i testimeve është 6.5 milion.

SHTETET FILLOJNË TË DALIN NGA MBYLLJA

Në rreth gjysmën e shteteve amerikane, duke filluar me Teksasin dhe Xhorxhian, njerëzit kanë filluar të dalin nga mbyllja, ndërsa Kalifornia dhe Nju Jorku po e mbajnë në fuqi mbylljen e bizneseve dhe dhe kufizimet e tjera për koronavirusin.

Teksasi filloi një rihapje me faza të bizneseve. Restorantet, dyqanet e shitjeve me pakicë dhe qendrat tregtare janë lejuar të hapen me kapacitet 25 për qind.

Një fazë e dytë është planifikuar për 18 maj nëse nivelet e infeksionit vazhdojnë të bien.

Të dhënat e Departamentit amerikan të Punës këtë javë treguan se rreth 30 milion amerikanë kanë kërkuar pagesë papunësie që nga 21 marsi.

Presidenti Donald Trump, i cili ishte i mbyllur në Shtëpinë e Bardhë me javë të tëra, shkoi të martën me helikopter në vendpushimin presidencial Camp David, për një fundjavë larg Uashingtonit.

Ai u tha gazetarëve se do të praktikonte distancimin fizik dhe se planifikonte një fundjavë pune që do të përfshinte telefonata me udhëheqës të huaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG