Lidhje

Paisje më të sigurta për votim elektronik


Shumë amerikanë do të hedhin votën në këto zgjedhje në paisje elektronike që ekspertët thonë se janë të lehta për t’i manipuluar. Ndërsa rusët akuzohen se po përpiqen të ndikojnë tek zgjedhjet përmes sulmeve kibernetike, shumë vetë po bëjnë thirrje për ndryshime rrënjësore tek makineritë që regjistrojnë votën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona u takua me specialistë që po punojnë për të ndërtuar makina votimi që janë shumë më të vështira për të depërtuar.

Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, amerikanët mund ta hedhin votën përmes një paisjeje të ndryshme.

“Ky është thjesht një model për fazën kërkimore. Makineria e vërtetë nuk do të jetë prej kompensate”, thotë Dan Wallach, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Rice.

Ai po krijon një lloj krejtësisht të ri paisjeje votimi, sepse siç thotë ai, shumë nga sistemet që përdoren sot janë shumë të ekspozuara ndaj piraterisë elektronike.

“Kur përdor një kuti votimi elektronike, pa pasur një plan rezervë nëse dikush depërton tek to, kjo ngjall shqetësime të thella.

Por shumë organe të qeverisjes lokale nuk kanë fonde për t’i zëvendësuar ato.

Kështu, Prof. Wallach dhe kolegët e tij po e ndërtojnë sistemin e tyre me elementë jo të kushtueshëm dhe të lehtë për t’u gjetur.

“Është një printer dhe një tabletë elektronike e lirë. Të dyja mund të gjenden në dyqane”.

Votuesit bëjnë zgjedhjen e tyre në një ekran elektronik. Votat mbrohen me një kriptografi të sofistikuar.

“Kriptogrami mund ta bëjë procesin vërtet të sigurtë. Por nëse nuk i beson, nuk ka problem se voton me fletë votimi që e hedh në kuti”.

Dhe nëse ka dyshime për votën elektronike, përdor fletë votimi.

Por siguria nuk është faktori i vetëm që duhet marrë në konsideratë, thotë kolegia e profesorit Wallack, Cluadia Ziegler Acemyan.

“Në fakt nuk ka rëndësi se sa i sigurtë është një sistem votimi. Nëse qytetarët nuk votojnë dot dhe nuk e hedhin dot kollaj votën, atëherë siguria bëhet e parëndësishme”.

Rezultati është një program për votim të sigurtë, transparent, të verifikueshëm dhe të besueshëm.

Prof. Wallach thotë se do të bëjë të mundur konsolidimin e masave të sigurisë për pothuajse gjysmën e kostos së paisjeve aktuale.

Ky sistem nuk do të jetë gati për votimin e këtij viti. Ekipi shpreson që ta ketë në dispozicion për zgjedhjet e Kongresit në vitin 2018.

XS
SM
MD
LG