Lidhje

Prodhimi i xhinseve amerikane


Etiketa “Prodhuar në SHBA” është ende e lakmuar në shumë vende të botës. Disa blerës, sidomos në Europë, janë të gatshëm të paguajnë një çmim të lartë për një palë xhinse firmato amerikane, shumica e të cilave prodhohen në Kaliforni. Tani, njerëzit në këtë industri thonë që kjo e fundit po rrezikohet nga një tarifë e re evropiane, dhe se ajo mund t’i kushtojë Kalifornisë vende pune apo të ketë ndikim edhe në pjesë të tjera të botës. Korrespondentja Elizabeth Lee njofton nga Los Angeles, ku ndodhen një pjesë e madhe e kompanive që prodhojnë xhinse firmato.

Zoti Peter Kim është specialist për xhinset e shtrenjta të prodhuara në Amerikë.

“Për mua xhinset janë si vera. Mund të kesh vjelë rrush nga e njëjta hardhi. Por mënyra si e përpunon ndikon në produktin përfundimtar”.

Si çmimi i verës, po ashtu edhe çmimi i xhinseve ndryshon. Një palë mund të kushtojnë nga $10 deri në më shumë se $200. Edhe pse shumica e blerësve nuk janë në gjendje të blejnë xhinset firmato, zoti Kim, themeluesi i Hudson’s, thotë se xhinset e shtrenjta përcaktojnë stilin e xhinseve më të lira, që blihen nga shumica e njerëzve.

“Është si puna e veshjeve të modës së lartë, ato që paraqiten në pasarelë nuk i vesh askush. Por elementë të tyre depërtojnë në modën bashkëkohore, modën mesatare, dhe më së fundmi në tregun e gjerë”.

Siç e shihni në këtë video të Hudson Jeans, ngjyra, prerja, dhe coha Italiane kontribuojnë në çmimin përfundimtar. Veç këtyre, është një element tjetër që ndikon në çmimin e lartë të xhinseve.

“Ne prodhojmë në Los Angeles, dhe si mund ta imagjinoni, nuk është lirë të prodhosh këtu”.


Ata që mund ta përballojnë çmimin e tyre janë, në shumicën e rasteve, njerëz nga Amerika e Veriut dhe Europa, dhe i blejnë kryesisht për etiketën “Prodhuar në SHBA.”

Por ajo etiketë mund të shuhet për disa firma. Kohët e fundit, Bashkimi Europian vendosi një tarifë prej 26 për qind përmbi atë 12 për qind që ekzistonte për xhinset e femrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara.
Tre të katërtat e firmave të xhinseve të shtrenjta ndodhen në Kaliforni. Presidenti i Shoqatës së Modës të Kalifornisë, Isle Metchek, thotë se tarifa mund të rrezikojë vende pune në Amerikë dhe të dëmtojë ekonominë.

“Kompanitë mund të fillojnë t’i prodhojnë xhinset në Meksikë”.

Zoti Peter Kim thotë gjithashtu se pasojat mund të jenë të dëmshme.

“Këto tarifa mund të asgjësojnë biznesin tonë në Amerikë”.

Prodhuesit e xhinseve amerikane thonë se shtetet e tjera mund ta shohin këtë si një mundësi të mirë për të depërtuar në tregun e xhinseve të shtrenjta.

Tani për tani, Hudson Jeans thotë se do ta përballojë vetë tarifën që blerësit të mos paguajnë më tepër. Firma gjithashtu do të vazhdojë t’i prodhojë xhinset në Los Angeles. Gjatë kësaj kohe, prodhuesit amerikanë shpresojnë që gjatë bisedimeve të ardhshme midis SHBA dhe Bashkimit Europian, udhëheqësit do të gjejnë një zgjidhje për tarifën e lartë që ndikon në çmimin e xhinseve të shtrenjta.
XS
SM
MD
LG