Kandidatët për në Kongres dhe përkrahësit e tyre të profilit të lartë po përdorin ditën e fundit të fushatës, të hënën, për të tërhequr votuesit, ndërsa partitë e mëdha politike luftojnë për kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet që bien në mes të mandatit të presidentit.
Presidenti Donald Trump kërkon që republikanët e tij të mbajnë shumicën e tyre në të dy dhomat e Kongresit, ndërsa demokratët po përpiqen të thyejnë monopolin.
Analistët politikë dhe rezultatet e sondazheve të opinionit u japin demokratëve një shans më të mirë për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve sesa në Senat. Votuesit të martën do të zgjedhin se kush do t'i mbushë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit.
Presidenti Trump të hënën është angazhuar për ndihmuar kandidatin republikan për guvernator të Ohajos, kandidatët republikanë për senator në Indiana dhe Mizuri, ku anketat tregojnë për një garë të ngushtë me kandidatë demokratë.
Para se të nisej drejt këtyre shteteve, Presidenti Trump kritikoi një anketë të kanalit televiziv CNN mbi atë se cilën parti do ta mbështesin votuesit. Anketa tregonte se 55 përqind e votuesve do të mbështesin demokratët, ndërsa 42 prej tyre republikanët. Anketat e tjera të përgjithshme që nuk pyesin për emra specifikë të kandidatëve, kanë treguar një epërsi më të vogël të demokratëve ndaj republikanëve.
"Interesante të shohim anketën e rreme të CNN-it dhe retorikën e tyre të rreme" shkruante Presidenti Trump në Twitter. "Shikoni rezultatet të martën. Jemi me fat që mbështetja për kanalin CNN është kaq e ulët. Mos bini pre e të kësaj loje shtypëse. Votoni! Mos harroni se tani ne kemi ndoshta ekonominë (vendet e punës) më të mirë në historinë e vendit tonë!" (https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1059464880955277312)
Entuziazmi i votuesve është i madh dhe pikëpyetjet po shtohet në prag të zgjedhjeve, të cilat do të përcaktojnë se cila parti politike do të kontrollojë dy dhomat e Kongresit amerikan si dhe dhjetra poste guvernatorësh në mbarë vendin.
Presidenti Trump bën të hënën fushatë në Ohajo, Indiana dhe Misuri.
Para se të udhëtonte të dielën për fushatë në Xhorxhia dhe Tenesi, presidenti Trump shprehu optimizëm për perspektivat e partisë së tij.
"Mendoj se ne do të dalim mirë në Dhomën e Përfaqësuesve, por siç e dini, fokusi im kryesor ka qenë Senati dhe mendoj se përpjekjet tona do të japin rezultate të mira në zgjedhjet për në Senat," tha ai.
Donal Trump tha në një tubim në Xhorxhia se votuesit duhet të vendosin nëse do të ndërtojnë mbi atë që ai e quajti "begatinë e jashtëzakonshme që ne kemi krijuar" ose do të lejojmë demokratët t’i japin një goditje shkatërruese ekonomisë për të ardhmen tonë".
Ish-Presidenti Barack Obama bëri fushatë të dielën në mbështetje të Senatorit demokrat Joe Donnelly në Indiana, duke u thënë zgjedhësve se ishte administrata e tij që filloi rimëkëmbjen ekonomike pas recesionit të rëndë që goditi vendin në vitin 2008.
Barak Obama akuzoi Kongresin e kontrolluar nga republikanët për përpjekje për të anuluar politikat e tij dhe p[r ndaljen e progresit të bërë gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Në një tjetër ndalesë për fushatë në Çikago, ish-presidenti Obama foli më në përgjithësi rreth votimit të së martës, duke thënë se kjo mund të ishte "zgjedhja më e rëndësishme e jetës sonë".
"Ekziston një garë e ideve që po ndodhin tani, se kush jemi dhe çfarë lloj vendi do të jemi. Karakteri i kombit tonë është në fletëvotim," tha Barak Obama.
Përveç garave të kongresit, 36 nga 50 shtetet e SHBA-së kanë për të zgjedhur guvernatorë të martën. Aktualisht kandidojnë 33 guvernatorë republikanë, 16 demokratë dhe një i pavarur.
Zgjedhësve gjithashtu do t'u kërkohet të votojnë për një numër iniciativash. Ato përfshijnë çështje të tilla si nëse do të legalizohet marihuana, nëse do t’u rikthehet ish-të dënuarve e drejta e votimit, nëse do të zgjerojnë mbulimin e Medicaid që ofron kujdes shëndetësor për shtresat e varfra, si dhe të përcaktojnë se çfarë lloj identifikimi duhet të kërkohet për të votuar.
Facebook Forum