Lidhje

Shefi i policisë së Kapitolit: Kërkesa për të thirrur Gardën nuk u pranua


Trump supporters try to break through a police barrier, Jan. 6, 2021, at the Capitol in Washington.

Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund, i cili po largohet nga kjo detyrë, tha për gazetën Washington Post se zyrtarët e sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, nuk e kishin pranuar kërkesën e tij që Garda Kombëtare të rrinte e gatshme për të ndihmuar në prag të sulmit të javës së kaluar në Kapitol.

"Nëse do të kishim Gardën Kombëtare, do t'i kishim mbajtur larg (njerëzit), derisa të vinin oficerë të tjerë policie nga agjencitë tona partnere", i tha gazetës zoti Sund.

Ai tha se kreu i zbatimit të ligjit për Senatin, Michael Stenger, i kishte sugjeruar që ai të bisedonte jozyrtarisht me Gardën Kombëtare që ajo të rrinte në gatishmëri në rast se trupat e saj do të ishin të nevojshme.

Zoti Sund tha ndërkaq se kreu i sigurisë për Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Irving, i kishte shprehur shqetësimin se si do të dukej situata nëse shpallej zyrtarisht një emergjencë në prag të demonstratave të planifikuara nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Të tre zyrtarët dhanë dorëheqjen pas sulmit ndaj Kapitolit.

Stenger dhe Irving, që mbanin postin e njohur si “Sergeant-At-Arms” në gjuhën ushtarake amerikane, kishin kompetenca të gjera për mbrojtjen e Kapitolit dhe ndërtesave të tjera që përbëjnë kompleksin e Kongresit amerikan. Përgjegjësitë e tyre shtriheshin gjithashtu tek kontrolli i hyrje-daljeve në kompleks dhe në sallat kryesore të këtij institucioni, si dhe në mbrojtjen e anëtarëve të Kongresit.

Një zëdhënës i Pentagonit tha javën e kaluar se policia e Kapitolit nuk kishte bërë ndonjë kërkesë që Garda Kombëtare të qëndronte e gatshme në prag të sulmit të dhunshëm që la pesë të vdekur, duke përfshirë një polic të Kapitolit.

Protestuesit pro-Trump e vunë në një trysni të pashembullt policinë e Kapitolit, e cila ishte shumë më e vogël në numër dhe qëndruan disa orë brenda ndërtesës, ndërkohë që personeli i sugurisë përpiqej të nxirrte ligjvënësit nga sallat. U deshën disa orë që autoritetet të rivendosnin kontrollin e ndërtesës. Përfundimisht policisë së Kapitolit i erdhi ndihmë nga Garda Kombëtare si dhe nga policia lokale dhe agjencitë federale të zbatimit të ligjit.

Pas sulmit, disa ligjvënës kanë ngritur pikëpyetje mbi përgatitjen e policisë së Kapitolit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG