Lidhje

Shkencëtarja adoleshente fiton konkursin shkencor


Sara Volz mori çmimin kryesor për vitin 2013 në Konkursin Intel të Talenteve në Kërkime Shkencore

Dyzet adoleshentë morën pjesë në konkursin e njohur botëror të shkencës në Uashington për të paraqitur përparimet e tyre në fusha të ndryshme të studimit përfshirë energjinë alternative, zbulimin e kancerit në fazat e hershme dhe eliminimin e kërcënimit nga speciet pushtuese. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Suzanne Presto bisedoi me disa prej finalistëve, përfshirë një vajzë e cila fitoi çmimin prej 100 mijë dollarësh për kërkime shkencore.

“... Nga shkolla e mesme “Cheyenne Mountain” në Kolorado Springs të shtetit Kolorado, Sara Volz”.

Në këtë mënyrë, Sara Volz pranoi çmimin kryesor për vitin 2013 të Konkursit Intel të Talenteve në Kërkime Shkencore dhe çmimin prej 100 mijë dollarë për studimet që ka bërë në fushën e energjisë alternative.

Zëri i Amerikës bisedoi me 17 vjeçaren Volz disa ditë para se ajo të fitonte këtë çmim të madh, kur prezantimi i pajisjeve të saj nuk ishte fitues i vendit të parë por vathët e saj të veçant me mbishkrimin “N-Er-Dy”.

Volz shpjegoi përpjekjet e saj për të rritur rendimentet e prodhimit të vajit nga algat që mund të përdoret si një burim ekonomik biokarburanti.

“Unë po përpiqem të përdor evolucionin e kontrolluar, përzgjedhjen artificiale, duke u fokusuar në një popullsi të caktuar të algave për të prodhuar më shumë vaj. Për ta realizuar këtë, unë po përdor substancën kimike herbicid, e cila eliminon algat nëse ato nuk prodhojnë vaj të mjaftueshëm”.

Ajo thotë se algat që i mbijetuan këtij trajtimi prodhojnë më shumë vaj dhe ia kalojnë këto veçori pasardhëseve të tyre. Volz shumicën e studimeve e bën në dhomën e gjumit, nën shtratin e saj.

“Në dhomën time të gjumit kam mikroskopin, centrifugat dhe epruvetat, dhe unë fle në cikle me nga 16 orë dritë dhe 8 orë errësirë, sepse algat janë nën shtratin tim. Ndërsa elmentet e rrezikshme kimike i mbaj në katin e poshtëm”.

Ky konkurs i shkencës ka ofruar një mundësi për prezantimin e studimeve të këtij lloji për më shumë se 70 vjet, thotë Wendy Hawkins, drejtore ekzekutive e Fondacionit Intel.

“Studentët rrallë herë kanë mundësinë për të bërë më shumë në klasat e shkencës se sa mësimi përmendësh i formulave dhe prova me eksperimente të përgatitura”.

Shkencëtarët e rinj janë frymëzim për Sekretarin amerikane të Arsimit Arne Duncan.

“Ata patën këtë paraqitje të mirë dhe mundësi për të gjetur pasionin e tyre dhe për të bërë një ndryshim të vërtetë, jo vetëm në vendin tonë por edhe në mbarë globin”.

Brittany Wenger nga Florida ishte në 10-shën e parë të konkursit.

“Unë e kam mësuar kompjuterin se si të diagnostikojë kancerin e gjirit dhe të përcaktojë nëse kanceri është malinje ose beninje”.

18-vjeçarja Wenger thotë se suksesi erdhi pas shumë përpjekjeve të dështuara.

“Isha shumë e gëzuar. Ishte një natë shumë vonë kur familja ime ishte në gjumë, dhe unë isha ulur pranë kompjuterit dhe me sy të hapur. Ishte një arritje e madhe për mua”.
Vincent O’Leary nga Virxhinia Perëndimore studion lëvizjet e karkalecave, që kërcënojnë industrinë e peshkimit.

“Ky projekt do të çojë në një rrugë ku mund të parashikohet lëvizja e karkalecave në hapësira të caktuara duke krijuar një metodë aktive të kontrollit të tyre”.

Nuk mund të parashikohet se çfarë arritjesh do të realizojnë këta shkencëtarë të rinj në fushat e tyre të studimit, por shtatë finalistë të këtij konkursi kanë fituar çmimin Nobel.
XS
SM
MD
LG