Lidhje

Asgjësohet vrasësi i komandantit të FNSH-së


Shkodër, gjatë shkëmbimi zjarri me policinë mbeti i vrarë 52 vjeçari Ruzhdi Aishta

Pas një rrethimi që zgjati rreth 12 orë, forcat speciale RENEA asgjësuan autorin e vrasjes, mbrëmjen e kaluar, të komandantit të njësisë së Forcave Policore të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, Simon Gjeta.

Gjate gjithë natës, forcat Renea mbajtën nën rrethim autorin e krimit, i cili, megjithë thirrjet për t’u dorëzuar, në mënyrë të vazhdueshme ka qëlluar në drejtim të forcave Renea.

Në orën 07 e 10 minuta të mëngjesit të sotëm, në kushtet e ndriçimit të plotë, forcat speciale hynë në banesë, ku u ndeshën me breshërinë e armës së autorit të krimit, Ruzhdi Aishta, i cili, mbeti i vrarë gjate një shkëmbimit të zjarrit me policinë. Më pare, 52 vjeçari Aishta, kishte plagosur edhe një bashkëfshatarin e tij 21 vjeçar. Në këtë operacion, i cili drejtua nga krerët më të lartë të policisë së shtetit, u angazhuan 250 forca policore, dhe 15 automjete ndër to 5 blinduara.

Autoritetet më të larta të vendit reaguan për vrasjen e oficerit të policisë. Mbrëmë, ndërsa po zhvillohej operacioni policor për kapjen e autorit të krimit, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi mbështetjen ndaj forcave të policisë së shtetit në luftën kunder krimit. “Një ngjarje e rëndë, që na kujton edhe një herë se sa e domosdoshme është mbështetja pa ekuivoke në luftën kundër krimit ordiner apo të organizuar dhe se sa esenciale është për moralin e forcave tona të policisë pastërtia e duarve politike, që drejtojnë policinë e shtetit”, u shpreh zoti Basha.

Nga ana e tij, sot paradite, ndërsa i shprehte ngushëllimet familjes së oficerit të policisë, kryeministri Edi Rama nënvizoi ”angazhimin e palëkundshëm për t'i shkuar deri në fund përpjekjeve shtetndërtuese, në radhë të parë për sundimin e ligjit në Shqipëri”. Sipas kryeministrit Rama ”arritjet e Policisë së Shtetit në luftën pa asnjë tolerancë të shtetit me krimin, janë vepër e shqiptarëve të mirë si Simon Gjeta, emri i të cilit, deri dje i panjohur mes mijëra të tjerëve nën uniformën blu, sot u bashkohet atyre që dhanë jetën në krye të detyrës”.

Nesër është parashikuar edhe organizimi i homazheve në nderim të komandantit të FNSH Shkodër.

XS
SM
MD
LG