Pas një rrethimi policor që zgjati mbi 12 orë, forcat speciale të policisë “RENEA” asgjësuan në mëngjesin e sotëm autorin e vrasjes të komandantit të njësisë së Forcave Policore të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, nënkomisar Simon Gjeta.
Gjatë gjithë natës, forcat “RENEA” mbajtën nën rrethim autorin e krimit, i cili është 56-vjeçari Ruzhdi Aishta, banor i fshatit Obot i Ri, që ndodhen 7 kilometra afër qytetit të Shkodrës. Megjithë thirrjet e përsëritura të policisë për t’u dorëzuar, në mënyrë të vazhdueshme ai qëlloi në drejtim të forcave speciale “RENEA”, që kishin rrethuar banesën ku po strehohej autori i krimit.
Në orën 07 e 10 minuta të mëngjesit të sotëm, në kushtet e ndriçimit të plotë, forcat speciale “RENEA” hynë në banesë, ku u ndeshën me breshërinë e armës së autorit të krimit, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Për shkak të rezikshmërisë së lartë të autorit të krimit, në operacionin për neutralizimin e tij morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit si dhe u angazhuan 250 forca policore dhe 15 automjete, ndër to 5 autoblinda.
Ngjarja e mbrëmshme nisi rreth orës 18 e 40 minuta, kur forcat e Komisariatit të Policisë së Shkodër dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë shkuan në fshatin Obot i Ri për ndalimin e shtetasit Ruzhdi Aishta, i cili gjatë një konflikti të rastit, kishte plagosur me armë zjarri një bashkëfshatarin e tij 21-vjeçar.
Në momentet e ndërhyrjes në banesë, autori i krimit ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë, ku për pasojë, gjeti vdekjen e menjëhershme Komandanti i FNSH, nënkomisar Simon Gjeta, vjeç 49, banues në Tiranë.
Vrasja e oficerit të policisë Simon Gjeta u dënua sot nga autoritetet më të larta të vendit, të cilët i shprehën ngushëllime familjarëve si dhe inkurajuan policinë në luftën kundër krimit. Në mesazhin dërguar familjarëve të komandantit të vrarë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani shprehet se dënon ashpërsisht aktin gjakatar dhe u bën thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese që të punojnë pareshtur, pavarësisht nga ngjarja e rëndë dhe tronditëse, në luftën e tyre të përditshme kundër krimit.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama shprehet në mesazhin e tij për angazhimin e palëkundshëm për t'i shkuar deri në fund përpjekjeve shtetndërtuese, në radhë të parë për sundimin e ligjit në Shqipëri. Sipas Kryeministrit Rama “arritjet e Policisë së Shtetit në luftën pa asnjë tolerancë të shtetit me krimin, janë vepër e shqiptarëve të mirë si Simon Gjeta”.
Gjithashtu, mesazhe ngushëllimi dhe inkurajimi për familjarët e Komandantit Simon Gjeta dhe forcat e policisë përcollën edhe Kryetari i Parlamentit Ilir Meta si dhe Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha.
Ndërkohë, është parashikuar që homazhet në nderim të komandantit të FNSH Shkodër, Simon Gjeta, të zhvillohen gjatë ditës së nesërme në kryeqytet.