Lidhje

Siguria në shkollat amerikane


Gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan për sulmin me armë të muajit të kaluar në një shkollë të Floridas, u konstatua se autoritetet kishin patur informacion të mjaftueshëm për të parandaluar vrasjen e 17 personave nga një ish-nxënës i shkollës. Ndërsa brenda ndërtesës së Kongresit zhvillohej takimi i senatorëve, nxënësit marshonin jashtë godinës për të kërkuar masa më të forta ndaj armëve dhe për sigurinë në shkollë.

Mijëra studentë u mblodhën dje në Capitol Hill, ose dolën nga klasat, si pjesë e një proteste mbarëkombëtare kundër vrasjeve në masë dhe mungesës së masave të zyrtarëve për t’i ndaluar këto lloj sulmesh. Senatorja demokrate Elizabeth Warren doli për t’i përshëndetur nxënësit dhe për të thënë se pushteti i Shoqatës Kombëtare të Armëve mbi Kongresin amerikan është i tepruar.

“Shoqata Kombëtare e Armëve po e mban peng Kongresin prej vitesh. Këta të rinj kanë ardhur që të na çlirojnë”, tha Senatorja Warren.

Ndërkohë, Komisioni i Senatit për Gjyqësorin mbajti një seancë dëgjimore të fokusuar tek dështimi i autoriteteve për të parandaluar vrasjet me armë. Demokratët thanë se është rritur numri i masakrave në shkolla, që kur skadoi ndalimi i armëve luftarake të sulmit.

“Në dekadën që vijoi pas skadimit të kësaj mase në vitin 2014, gjërat u përkeqësuan ndjeshëm. Masakrat me armë u rritën me 183% dhe numri i vdekjeve nga këto masakra u rrit me 239%”, tha Senatorja demokrate Dianne Feinstein.

Republikanët fajësuan mungesën e masave paraprake.​

“Janë të pamjaftueshëm programet nëpërmjet të cilëve ky sulmues do të ishte pikasur, dhe nëpërmjet të cilëve koordinohen agjensitë e zbatimit të ligjit, zyrtarët e shkollave dhe të kujdesit të shëndetit mendor”, tha Senatori republikan Marco Rubio.

Babai i një prej viktimave në shkollën e Floridas tha se autoritetet lokale ishin në dijeni të problemeve mendore të sulmuesit dhe të prirjes së tij për dhunë, por ato nuk vepruan.

“Në dijeni ishin zyrtarët e sistemit të birësimit, FBI-ja, drejtoria arsimore, si dhe zyra e sherifit të kontesë. Megjithëse secila prej këtyre agjensive kanë fuqinë dhe autoritetin për të vepruar përpara se të ndodhë tragjedia, asnjë prej tyre nuk përmbushi detyrën”, tha Ryan Petty, babai i një prej nxënëseve të vrara në shkollën në Florida.

Një zyrtar i lartë i FBI-së tha se agjentëve u duhet të seleksionojnë informata të shumta përpara se të vendosin të veprojnë. Ai megjithatë pranoi se agjentët duhet të kishin vepruar kur ishin informuar për të dyshuarin Nicolas Cruz.​

“Punonjësit tanë punojnë shumë, ndërsa marrin vendime çdo ditë. Në këtë rast, e kemi thënë qartësisht se nuk u mor vendimi i duhur”, tha Nëndrejtori në detyrë i FBI-së, David Bowdich.

Disa prej Senatorëve gjithashtu pranuan se nuk ka patur vullnet të mjaftueshëm politik për të kundërshtuar Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe për të miratuar ligje më të rrepta ndaj armëve, gjë që dëshirohet nga shumë amerikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG