Lidhje

Krerët evropianë, Mogherini dhe Hahn në Shkup


Komisioneri për zgjerim dhe politikat e fqinjësisë së Bashkimit Evropian, Johannes Hahn a dorëzoi sot në Shkup raportin e progresit, autoriteteve të atjeshme shtetërore. Zoti Hahn përshëndeti angazhimin e të gjithëve për realizimin e reformave të nevojshme që i mundësuan Maqedonisë marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. “Tash jeni kthyer në shtegun evropian që ishte synim i të gjitha përpjekjeve tuaja”, tha ai në një konferencë me gazetarë.

Ndërkohë, prej pasdite në Shkup ndodhet edhe Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri dhe zëvendēs presidente e Komisionit Evropian. Ajo u takua në një darkë të përbashkët me disa prej kryeministrave të rajonit.

Zonja Mogherini tha në një konferencë për gazetarë se qeveria duhet të krijojë hapësirë për opozitën dhe opozita të marrë përsipër pergjegjësitë që i takojnë. Ajo tha se shtetet e Ballkanit e kanë vendin në Bashkimin Evropian, një proces të cilin ajo e quajti “ribashkim i Evropes”.

“U kthyet në shtegun e mirë. Mund të festoni; kjo është arritje e madhe, por pastaj t’i ktheheni punës!”, tha zonja Mogherini.

Ajo e krahasoi përparimin drejt BE-së me video-lojërat: “sa më lartë ngjiteni në nivele, aq më shumë sfida paraqiten”, u shpreh ajo, ndërsa la të kuptohej se niveli i radhës është zbatimi i reformave.

Zyrtarja e lartë evropiane tha se angazhimet duhet të jenë të përbashkëta, ndonëse përgjegjësia i takon qeverisë, por se edhe opozita ka përgjegjësinë e saj sepse, siç tha, nëse nuk identifikohen përparësitë kombëtare, mund të ndodhë sprapsja dhe dalja nga shtegu evropian.

Ndërkohë, më parë Komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn tha në Shkup se qyetarët e Maqedonisë e meritojnë rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për anëtarësim. Ai përshëndeti arritjet dhe reformat, ndërsa vuri në dukje nevojën e zbatimit të këtyre reformave në praktikë.

Zoti Hahn ia dorëzoi kryeministrit maqedonas Zoran Zaev raportin e progresit të Komisionit Evropian me rekomandmin për çeljen e negociatave, një gjë që Maqedonia e ka pritur prej vitesh. Zoti Zaev nuk e ka fshehur kënaqësinë për këtë vendim të Komisionit.

Është një moment, një detyrim për të vazhduar atë që është filluar tani më. Është një udhëtim drejt Evropës, por një udhëtim shumë i mirë, por shumëçka mbetet për t’u bërë”, tha komisioneri Hahn.

Ai e përshëndeti edhe opozitën, për çka tha se ka qenë serioze në mbështetjen e këtij synimi kombëtar; Ndërkaq, tha se Komisioni ka vërejtur përparimin që ka shënuar Maqedonia për arritjen e kushteve të nevojshme për të çelur negociatat me BE-në.

Vendi juaj kaloi një rrugë të gjatë dhe krahas rrethanave të vështira, shteti juaj arriti ta kapërcejë krizën e thellë politike dhe tash jeni kthyer në shtegun evropian që ishte synim i të gjitha përpjekjeve”, tha zoti Hahn duke nënvizuar ndryshimet pozitive “që po reflektojnë shpresat, energjinë pozitive dhe transparencën”.

Ai tha në konferencën për media se Maqedonia u bë premtim për ndryshimin demokratik në të gjithë rajonin, duke zbatuar marrëveshjen e Përzhinës, prej nga buron zotimi për reforma.

Momenti i reformave duhet të vazhdojë, veçanërisht në sferën e përmirësimit të gjyësorit”, tha ai, duke shtuar nga ana tjetër se ndryshimet nuk janë vetëm miratimi i legjislaturës, por zbatimi i saj, ndërsa këshilloi autoritetet e këtushme që të përqendrohen tek zbatimi i reformave.

Komisionieri Hahn u shpreh me tone pozitive për reformat në fushën e komunikimeve që sigurojnë qytetarët, sipas tij, se keqpërdorimi i së kaluarës me përgjimet nuk do të përsëritet.

Komisioneri evropian pret debate konstruktive pas kthimit të opozitës në parlament. Ndërkohë, ai inkurajoi për një zgjidhje të shpejtë të problemit të emrit me Greqinë.

Kryeministri Zaev tha se vendi i tij është i përgatitur për një hap të ri përpara; “Rekomandimi i pastër për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian për të gjithë ne paraqet një motiv të fuqishëm për synimin e vështirë të radhës por që është i arritshëm”, u shpreh ai.

Ai theksoi përcaktimin e fortë për të zbatuar vendime të qëndrueshme për reforma thelbësore dhe mbi bazë të raportit të BE-së “do të bëjmë, tha ai, një plan të ri për dinamikën e reformave deri në fund të vitit 2018”.

Zaev tha se vullneti i shumicës së qytetarëve të cilët u përcaktuan për një shoqëri moderne për të gjithë, e solli vendimin për një Maqedoni demokratike dhe evropiane dhe për kapërcimin e ngecjeve. Ai falënderoi shoqërinë civile dhe të gjithë faktorët politik për përgjegjësinë e treguar.

Kryeministri maqedonas foli për nevojën e një konsensusi të gjerë qytetar për zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë, duke aluduar në një referendum.

Vetëm perspektivat evropiane dhe atlantike për Maqedoninë dhe rajonin sjellin cilësi të mirë jetese për qyetarët dhe shtetet tona dhe vetëm Evropa e bashkuar sjell stabilitet të plotë”, tha ai duke shtuar se BE mund të fitojë nga Maqedonia vlera shtesë por jo probleme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG