Lidhje

Ngrihen akuza kundër shoferit të kamionit me të vdekur


Një shofer kamioni është akuzuar për trafik me njerëz në Teksas, sipas një dokumenti gjykate të bërë publik të hënën. Ai dyshohet se ishte i përfshirë në një operacion trafikimi që rezultoi në vdekjen e 10 vetëve.

60-vjeçari James Bradley Jr. nga Florida mund të ndëshkohet me burgim të përjetshëm ose me vdekje për këto akuza, sipas autoriteteve. Ai u arrestua të dielën në San Antonio, pasi policia nxori nga një kamion trupat e tetë personave që kishin vdekur nga asfiksia dhe temperatura e lartë në rimorkion e mbyllur të parkuar në të nxehtët e verës pranë një dyqani Walmart. Dy persona të tjerë të nxjerrë nga kamioni vdiqën më pas, ndërsa pasagjerët e tjerë janë në spital, disa kanë kaluar atak në zemër, të tjerët të dehidratuar. Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet.

Sipas akt-padisë kundër Bradley-t, ai u kishte thënë hetuesve se po ngiste kamionin nga Ajova për në Teksas dhe nuk e dinte se kishte njerëz në rimorkion e mbyllur deri kur kishte ndaluar në San Antonio.

Bradley kishte treguar se kishte hapur rimorkion dhe kishte mbetur i shtangur kur i ishin hedhur “spanjollë” nga brenda dhe e kishin rrëzuar në tokë, siç thuhet në dokumentet e gjykatës. Hetuesit thonë se Bradley i kishte telefonuar gruas, por nuk kishte marrë numrin e urgjencës 911, megjithëse e dinte se kishte të vdekur mes imigrantëve. Sipas akt-padisë gruaja e Bradley-t nuk i ishte përgjigjur telefonatës.

Dëshmitarët tregojnë se të paktën 100 vetë kanë qenë në rimorkion e mbyllur.

"Të gjithë ata ishin viktima të trafikantëve të paskrupullt që nuk duan t’ia dinë për mirëqënien e tyre,” tha prokurori i Distriktit Perëndimor të Teksasit, Richard Durbin Jr. përmes një deklarate.

Drejtori në detyrë i Agencisë për Imigracionin e Doganat, Thomas Homan tha përmes një deklarate “Krimi i tmerrshëm i zbuluar mbrëmë, në bazë të çdo standardi përbën një dëshmi të zymtë të rrjeteve trafikante që duhen ndjekur, kapur dhe ndëshkuar”.

Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë tregojnë makina që i ishin afruar kamionit të shtunën dhe merrnin njerëz që dilnin nga kamioni, më pas e mbyllnin përsëri rimorkion dhe largoheshin. Njerëzit e bllokuar në kamion u zbuluan pasi dikush nga kamioni i kërkoi një punonjësi të dyqanit Walmart të sillte ujë. Punonjësi thirri policinë e cila zbuloi imigrantët, ndër ta edhe dy të mitur.

Të gjithë të vdekurit ishin meshkuj në moshë të rritur.

Ministria e Jashtme e Meksikës tha dje se informatat e para tregojnë se mes imigrantëve kishte 25 shtetas meksikanë, katër prej të cilëve kishin vdekur dhe 21 të tjerë ishin në spital. Qeveria meksikane ka bërë thirrje për një hetim të plotë mbi vdekjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG