Lidhje

Shqipëri, Banka ul sërish normën e interesit


Banka ndërhyn për të pestën herë brenda 12 muajve të fundit për të nxitur aktivitetin ekonomik. Guvernatori pranon se vendi do të ketë ecuri pozitive, por ajo do të jetë e ngadaltë dhe nën parashikimet e vetë Bankës.

Në Shqipëri Banka qendrore njoftoi sot për një tjetër ulje të normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje duke e cuar atë në minimumin e saj historik. Guvernatori i Bankës Ardian Fullani shpjegoi se vendimi i Këshillit mbikqyrës synon të nxisë më tej aktivitetin ekonomik. Sipas zotit Fullani, vendi do të vazhdojë të ketë një ecuri pozitive, por se ajo do të jetë e ngadaltë dhe nën parashikimin fillestar të vetë Bankës

“Këshilli mbikqyrës i Bankës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Në opinionin e Këshillit Mbikqyrës lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit për periudhën afatmesme. Njëkohësisht do të nxisë më tej aktivitetin ekonomik në vend duke nxitur stimulin monetar në mbështetje të kërkesës së brendshme”, deklaroi guvernatori Fullani. Kjo është hera e pestë brenda 12 muajve që Banka e Shqipërisë detyrohet të ulë normën e interesit.

Ekonomia shqiptare po vuan gjithnjë e më shumë pasojat e ndikimit të krizës vecanërisht në eurozonë por edhe të problemeve të brendshme. Guvernatori Fullani foli për një “vazhdimësi të plogët të kërkesës së brendshme” ndikuar nga politikat e konsolidimit fiska të ndërmarra nga qeveria për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin publik. “Dinamika e konsumit mbetet e ngadaltë duke reflektuar sjelljen e kujdesshme konsumatore dhe rritjen e prirjes për kursim. Investimet private kanë qenë të ulëta. Në prani të hapësirave të lira, bizneset kanë parë pak hapësira për rritjen e investimeve në makineri e pajisje, ndërkohë që kërkesa për ndërtesa residenciale mbetet e dobët. Kërkesa e huaj vlerësohet të ketë patur një ecuri të dobët në këtë tremujor, si pasojë e problemeve në eurozonë dhe në partnerët tanë kryesorë në tregtinë e jashtme”, shpjegoi zoti Fullani.

Shqipëria regjistroi një rritje negative në tremujorin e parë të këtij viti. Guvernatori Fullani foli për një rigjallërim në tremujorin e dytë duke u shprehur se ecuria pozitive do të vazhdojë, ndonëse pranoi se ajo do të jetë e ngadaltë dhe nën parashikimet edhe të vetë Bankës. Ai tha se ecuria e faktuar e aktivitetit ekonomik dhe të dhënat e tërthorta që Banka ka në dispozicion “kanë zhvendosur në kahun rënës projeksionet tona bazë për ecurinë ekonomike në pjesën e mbetur të vitit. Ekonomia vendase pritet të ketë një ecuri të ngadaltë e kushtëzuar nga dobësitë e kërkesës së brendshme dhe të huaj. Në kushtet e sjelljes konsoliduese fiskale dhe të ngadalësimit të kërkesës së huaj, ecuria e kërkesës së brendshme private mbetet përcatuese për rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Por dy komponentë të kësaj të fundit, punësimi dhe investimet private nuk kanë dhënë shenja rigjallërimi”.

Zoti Fullani nuk tha se në c’masë Banka parashikon të ulet aktiviteti ekonomik. Qeveria kishte parashikuar një rritje prej mbi 4 përqind për këtë vit, ndërkohë që institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një rritje modeste mes 0,5 dhe 1.5 për qind.
XS
SM
MD
LG